Një tjetër talent i bashkohet përfaqësueses shqiptare të futbollit: Ramen Çepele, prodhim i akademisë së Interit dhe një emër shumë i vlerësuar përtej Adriatikut, ka vendosur që të heqë fanellën e kaltër të Italisë dhe të veshë atë të përfaqësueses shqiptare.
Lajmin e jep vetë klubi zikaltër, i cili bëri të ditur listën e të gjithë atyre që janë ftuar nga përfaqësueset për ndeshjet ndërkombëtare të muajit shtator. Emri i Çepeles figuron në listën e Kombëtares A për dy ndeshjet ndaj Bjellorusisë dhe Lituanisë që luhen në ditët e para të muajit shtator, duke konfirmuar kështu afrimin e këtij djaloshi të talentuar.
Ai në fakt kishte spikatur që në moshë të re në Itali e nuk ishte rastësi që përfaqësuesja italiane e kishte afruar me ekipin U17, me të cilin luajti në vitin e fundit ndeshje zyrtare në tetor 2019 duke shënuar edhe dy gola. Paraqitje të cilat i siguruan atij edhe shiritin e kapitenit në përfaqësuesen italiane.
Por kontaktet e me FSHF-në kanë qenë të vazhdueshme dhe kjo e fundit ka dërguar edhe trajnerin Edi Reja që të flasë me djaloshin e talentuar dhe familjen e tij. Fjalët e teknikut, e sidomos premtimi se mund të bashkohet me kombëtaren A, kanë bërë që ai të ndërrojë mendje.
Kështu, Çepele është përfshirë në listë për ndeshjet e shtatorit për Ligën e Kombeve, e me shumë mundësi do të debutojë në javët e ardhshme me kuqezinjtë, për të hequr çdo dyshim se cilën kombëtare do të përfaqësojë në të ardhmen. /vipsport/