Opinion nga Hysen ZMIJANI

Jam i mendimit se në ndeshjen ndaj Islandës na dëmtoi edhe fusha sepse po të ishte terreni i mirë, Shqipërisë do bënte një lojë shumë më të bukur. Pavarësisht kësaj, nëse i referohemi statistikave, kemi patur 7-8 raste të pastra ndërsa kundërshtari shumë pak raste dhe ia arriti t’i konkretizonte ato. Në pamje të parë kjo hyn tek suprizat e futbollit sepse po ta dinim se do humbnim besoj se shumë gjëra do ishin bërë ndryshe nga tanët.


Por kuptohet që nuk është fundi i botës kjo humbje por një mësim shumë i madh sepse “fryhemi” shumë kur luajmë me kundërshtari të tillë dhe në fund pastaj zhgënjehemi nga rezultatet. Kam dëgjuar të konsiderohet si humbje e portierit Ujkani kjo ndeshje megjithatë unë mendoj se fajtorë janë të gjithë. Ujkani sigurisht që ka pjesën e vet aq më tepër se ai po merr jo pak kritika edhe në Itali ku luan me skuadrën e tij. Por pësimi i shumë golave në qendër të mbrojtjes është i pafalshëm. Janë disa detaje të vogla që po na ndëshkojnë. Tek rasti i golit të parë të Islandës janë vetëm dy lojtarë të saj dhe pesë mbrojtës tanë që nuk reagojnë fare. Po ashtu mund të ketë ndonjë kritikë ndoshta edhe ndaj trajnerit për mënyrën e ndërtimit të formacionit sidomos në sulm sepse Salihi e Bogdani duhet të ishte të paktën njëri në fushë ngaqë kanë shumë përvojë dhe meqë ndeshjen donim ta fitonim me çdo kusht, ata mund të jepnin golat e shumëpritur ndoshta. Unë kam besim se me Slloveninë duhet të ndryshojmë disa gjëra dhe me pak mund të dalim tek fitorja. Kuptohet që do jetë më e vështirë por lojtarët them se do jenë më të karikuar dhe më të përgjegjshëm për rëndësinë e ndeshjes.