Shqipëria ka fituar sërish ndaj Malit të Zi, këtë herë me rezultatin 4-3. E kemi fjalën për kombëtaret e futbollit të femrave të dy vendeve. Ndeshja e zhvilluar dje në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës është dominuar nga vajzat tona të cilat kanë arritur një tjetër fitore. Tre ditë më parë, ekipi shqiptar kishte fituar edhe në Tivar me rezultatin 4-2. Ka qenë një fitore e bukur për ekipin tonë. Ndeshja ka filluar e shpejtë dhe sulmuesja shkodrane që luan në Australi Elvana Curo ka shënuar me kokë në minutën e 14-të të ndeshjes ndërsa Memedov po me kokë e ka çuar rezultatin në 2-0 në minutën e 26-të. U duk se do kishim një fitore të lehtë për ekipin tonë kombëtar por nuk ndodh kështu.

Malazezët e rrisin lojën e tyre. Në minutën e 29-të fitojnë një 11-metërsh dhe nga pika e bardhë, kapitenia Vukçeviç ka shënuar. Pas gjashtë minutash do vinte edhe goli i barazimit me autore Bulatoviç. Kur u duk se pjesa e parë do mbyllej në barazim 2-2, vjen goli i avantazhit për ekipin tonë. Kapitenia Seranaj ka ekzekutuar bukur një goditje dënimi dhe topi ka përfunduar në rrjetë. Në pjesën e dytë, kombëtarja e Malit të Zi sërish do arrinte të barazonte shifrat teksa Bulatoviç ka barazuar shifrat sërish në minutën e 50-të të ndeshjes. Megjithatë Shqipëria nuk do kënaqej me barazim. Zëvendësimet e bëra nga ana e trajnerit Altin Rraklli japin efektin e vet dhe në minutën e 71-të, sulmuesja e Juban Danjës, Advije Veliu ka shënuar golin e katërt dhe të fitores për kombëtaren tonë. Por ajo që duhet përmendur është nervozismi që ka shoqëruar ekipin malazez për gjykimin e ndeshjes madje kryesori Jubica është detyruar ta largojë nga pankina trajnerin Mijoviç. Në fund, Shqipëria ka fituar 4-3. Në këtë mënyrë, edhe kjo ndeshje mbyllet me suksesin e vajzave kuqezi që në katër ndeshje miqësore që kanë zhvilluar deri tani, kanë arritur katër fitore, duke mundur nga dy herë ekipet kombëtare të Maqedonisë dhe Malit të Zi. Në ditët e ardhshme priten të tjera miqësore sepse objektivi I drejtuesve të këtij ekipi është marrja e sa më shumë përvoje me ballafaqime të tilla ndërkombëtare.
Shqipëri- Mali i Zi 4-3
Shqipëria: Shala, Selmani, Lulaj, Rrahmani, Govori, Memedov, Seranaj, Robeli, Berisha, Jashari, Curo. Tr. Altin Rraklli. U aktivizuan : Baro, Veliu, Krasniqi, Jaku, Bajrakurtaj

Mali i Zi: Jarediç, Vesoviç, Margraf, Vujosheviç, Rukoviç, Bjelica, Malesia, Turçinoviç, Bulatoviç, Vukçeviç, Kuç. Tr: Z. Mijoviç. U aktivizuan edhe Liziç, Koçknoviç, Popoviç e Gjokoviç.

Shenues: Curo 14′, Memedov 26′, Seranaj 44′, Veliu 71’/ Vukçeviç 29′ (11-m), Bulatoviç 36′, 50′
Gjyqtarë: D. Jubica, F. Borova, A. Gjyli (Shqipëri)