Ndjesi të ndryshme nga shorti në Lozanë, aty ku Liga e Kombeve, turneu më i ri i organizuar nga UEFA nisi zyrtarisht rrugëtimin. Shorti rezervoi një grup mjaft të vështirë për Shqipërinë në Ligën C, ndërsa në anën tjetër buzëqesh Kosova në Ligën D. Nga goglat e tërhequra nga duart e finlandezit Jari Litmanen, Shqipëria u pozicionua në Grupin 1, i vetmi me tre skuadra. Kundërshtarët e kuqezinjve janë Skocia, e cila vlerësohet edhe si koka e grupit në bazë të koeficientit të UEFA-s dhe Izraeli.
Kombëtarja do të luajë për herë të parë në ndeshje zyrtare me Skocinë, skuadër që pozicionohet në vendin e 37-të në renditjen botërore dhe që në historinë e saj ka marrë pjesë në tetë finale të Kupës së Botës dhe dy herë në Kampionatin Europian, por pa kaluar asnjëherë fazën e grupeve.
Shqipëria do të luajë gjithashtu edhe përballë Izraelit, duke rikthyer duelin e kualifikueseve të Botërorit 2018. Detaj mjaft intesant është fakti se izraelitët ishin kundërshtarë të Kombëtares edhe në simulimin kompjuterik të zhvilluar nga UEFA vetëm pak orë përpara shortit zyrtar.
Grupi vlerësohet tejet i vështirë për kuqezinjtë, megjithatë ekuilibri që ekziston ndërmjet skuadrave bën që gjithçka të jetë e hapur shanset të jenë të barabarta. Duke qenë se Grupi 1 në Ligën C është me tre skuadra, Shqipëria do të luajë edhe miqësore, ku emri i kundërshtarëve do të përcaktohet nga UEFA, në mënyrë që skuadra të jetë në fushë në datat kur luhet aktiviteti.
Short i favorshëm ishte ai i Kosovës, që u pozicionua në Grupin 3. Për shkak se koeficienti i UEFA-s në short përllogaritej bazuar në pesë vitet e fundit dhe Kosova ka nisur të luajë në arenën ndërkombëtare vetëm edicionin e kaluar, përfaqësuesja më e re në Europë e nisi turneun nga vazo e fundit.
Megjithatë, Malta dhe Ishujt Faroe, të cilat pozicionoheshin më lart janë kundërshtarë në dukje të kalueshëm, ndërsa pengesa më e vështirë duket Azerbajxhani, që cilësohet kokë grupi. Një short që i jep mundësi Kosovës të synojë një vend në “play off” për Europianin e vitit 2020, si edhe të ketë mundësi të ngjitet në Ligën C të turneut më të ri në kontinent.
Liga A
Grupi 1
Gjermania
Franca
Holanda
Grupi 2
Belgjika
Zvicra
Islanda
Grupi 3
Portugalia
Italia
Polonia
Grupi 4
Spanja
Anglia
Kroacia