
Kombëtarja shqiptare e futbollit të femrave ka arritur të fitojë me rezultatin 2-0 ndeshjen e luajtur sot ndaj Letonisë. Kjo ndeshje siç dihet është e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror. Golat për ekipin tonë janë shënuar nga Memedov në minutën e 17-të dhe Velaj në minutën e 41-të. Loja ka qenë e dominuar gjatë të gjithë kohës nga vajzat tona të cilat kanë patur mundësi të shënojnë edhe gola të tjerë në këtë ndeshje.Formacioni me të cilin ka luajtur kombëtarja jonë në këtë ndeshje ka qenë ky: Gjyli, Proto, Lulaj, Govori, Rrahmani, Berisha (Selmani 75′), Memedov, Jashari (Robeli 90′), Seranaj, Velaj, Curo (Veliu 84′). Me fitoren e sotme Shqipëria është ngjitur në kuotën e 4 pikëve dhe konsiderohet tashmë pretendente serioze për kalimin në turin tjetër. Ajo ka për të zhvilluar edhe një ndeshje tjetër, atë të fundit ditën e martë me kombëtaren e Luksemburgut. Në këtë mënyrë, në të parën pjesmarrje në ndeshjet zyrtare, kombëtarja shqiptare e futbollit të femrave pritet të arrijë suksesin e parë duke kaluar ndeshjet në grupe. Ky sigurisht që përbën një sukses sepse siç dihet ky lloj futbolli ka vetëm katër vite që ka filluar të ushtrohet rregullisht në vendin tonë.
Gjergj KOLA
(www.shkodrasport.com)