Në Nion të Zvicrës u hodh sot shorti për kualifikueset e Europianit për femra, aty ku Shqipëria U19 dhe Shqipëria U17 është njohur me skuadrat që do të ketë përballë. Ndeshjet që do të zhvillohen në vitin e ardhshëm, do t’i japin mundësi vajzave kuqezi të tregojnë veten dhe të provojnë të kalojnë më tej në grupe relativisht të vështira.
Shqipëria U19 është në grup me skuadra si Danimarka, Rusia dhe Moldavia. Të gjitha ndeshjet, do të zhvillohen në Shqipëri në tetorin e vitit të ardhshëm. Në të njëjtin muaj, në Shqipëri zhvillohen edhe kualifikueset e Europianit U17. Shqipëria e sheh veten në grup me skuadra si Holanda, Suedia dhe Rumania.
Njoftimi i FSHF-së
“Është hedhur sot në Nion të Zvicrës në selinë e UEFA-s, shorti për kualifikueset e Kampionatit Europian 2020/2021 për kombëtaren e femrave U-17. Gjithsej jane 12 grupe me nga 4 skuadra dhe Shqipëria bën pjesë në grupin e nëntë sëbashku me Holandën, Suedinë dhe Rumaninë.
Turneu “Qualifying Round” U-17 Femra do të zhvillohet në vendin tonë në datat: 7, 10 dhe 13 Tetor 2020. Skuadrat që do të kualifikohen nga raundi kualifikues në raundin elitë do të jenë 28, ku 24 skuadrat që do të renditen të parat dhe të dytat në grupet e tyre respektive si dhe 4 vendet e treta më të mira nga 12 grupet.
Më pas është hedhur shorti edhe për kombëtaren U-19 të femrave, për kualifikueset e Kampionatit Europian 2020/2021.
Përfaqësuesja jonë bën pjesë në grupin e nëntë edhe këtu por me këto skuadra në grup: Danimarkën, Rusinë dhe Moldavinë. Turneu “Qualifying Round” U-19 Femra do të zhvillohet po në vendin tonë në datat: 21, 24 dhe 27 Tetor 2020. Me të njëjtën rregullore kualifikimi si ajo më sipër e U-17. /VipSport/