Kombëtarja shqiptare vazhdon me fitore në turneun “UEFA Development U-15” për djem. Kuqezinjtë e trajnerit Armand Damo fituan thellë ndaj San Marinos në “Shtëpinë e Futbollit” me rezultatin 9-1. Golat e fitores për Shqipërinë i shënuan Fabio Hyseni(X2), Mattia Xhemali(X2), Haxhi Rrena(X2), Erjon Vajushi (X2) dhe Rajan Dybeli.

Trajneri Armand Damo e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Bastian Brungaj (GK), Aend Cekrezi, Joart Mile (C), Rian Nezaj, Denis Nikolli, Sean Sulaj, Fabio Hyseni, Sebastian Sina, Haxhi Rrena, Gentjan Sharka, Mattia Xhemali. Siç shikohet, edhe në këtë ndeshje, si titullar e ka nisur shkodrani që mbron edhe portën e Fiorentinës, Bastian Brungaj i cili është aktivizuar në pjesën e parë duke bërë një paraqitje të mirë dhe si rrjedhojë nuk ka pësuar gol.

Shqipëria zhbllokoi rezultatin që në fillim të lojës, në minutën e nëntë të ndeshjes me Fabio Hysenin. Në vazhdim të ndeshjes kuqezinjtë patën disa mundësi dhe arritën të shënonin 3 gola të tjerë. Në minutën e 28-të realizoi Mattia Xhemali dhe 10 minuta më vonë, Haxhi Rrena shënon nga goditja e dënimit, duke thelluar rezultatin. Në fund të pjesës së parë, Fabio Hyseni shënon golin e katërt dhe të dytin personal për kuqezinjtë në minutën e 41-të.

Fraksioni i dytë nisi me të njëjtin ritëm për Kombëtaren shqiptare që realizoi dy gola brenda 10 minutave të para, me Haxhi Rrenën sërish në minutën e 48-të dhe Erjon Vajushi në minutën e 58-të, ndërsa San Marino realizon në minutën e 61-të. Në minutën e 75-të Rajan Dybeli thellon më tej rezultatin, ndërsa në minutën e 80-të Vajushi realizoi golin e tetë. Në këtë mënyrë, sulmuesi shkodran Erjon Vajushi ka plotësuar dopietën e tij në këtë ndeshje.

Mattia Xhemali mbylli serinë e golave për kuqezinjtë duke shënuar golin e 9-të në fundin e takimit. Ndeshja u mbyll me rezultatin 9-1 për Shqipërinë. Në ndeshjen tjetër të grupit të luajtur paraditen e sotme në “Shtëpinë e Futbollit”, Bosnje-Hercegovina fitoi ndaj Ishujve Faroe me rezultatin 2-0.

Ndeshjet e treta të turneut “UEFA Development U-15” do të zhvillohen më 28 tetor. Ndeshja e parë e ditës në “Shtëpinë e Futbollit” do të jetë Ishujt Faroe – San Marino në orën 10:00, ndërsa Shqipëria dhe Bosnje – Hecegovina do të përballen në orën 14:00.