Me ndeshjet e treta dhe të fundit është mbyllur turneu i radhës UEFA Development U-15, që u zhvillua në Shqipëri me të gjitha sfidat që u luajtën në fushat e Shtëpisë së Futbollit. Shqipërisë U-15 dhu ndesh me Maqedoninë e Veriut U15 ndeshje që përfundoi me fitoren e kuqezinjve me rezultatin 3-0.

Trajneri Armand Dama hodhi në fushë këtë formacion titullar: Klejton Uruci, Petro Marku, Dion Vata, Xhoel Mezani, Frensi Mali, Klevi Bariami, Henry Lleshi, Adri Mehmeti, Alvin Zekaj, Majkol Luka, Denis Matraku.

Edhe kjo sfida ka qenë mjaft emocionuese me raste për shënim, me të dyja skuadrat që kërkonin fitoren. Pavarësisht rasteve të shumta pjesa e parë u mbyll me rezultatin e barabartë 0-0, ndërkohë që në pjesën e dytë nisin dhe zëvendësimet e para. Në minutën e 61-të është Etrit Gjuzi i ardhur nga stoli që hyn në zonë dhe pas një ndërhyrjeje nga mbrojtësit maqedonas arrin të fitojë një 11-metërsh. Nga pika e bardhë godet bukur Adri Mehmeti, duke e dërguar topin në rrjetë dhe duke zhbllokuar rezultatin.

Në minutën e 74-t vjen edhe golin i dytë i Shqipërisë me autor Elson Himallarin, gjithashtu i futur në fushën në pjesën e dytë, i cili është i saktë me kokë pas një goditje nga këndi, duke mposhtur edhe portierin maqedonas, duke çuar rezultatin në 2-0.

Për të vulosur fitoren mendon sulmuesi Etrit Gjuzi, i cili në minutën e 83-të arrin të kërcejë më lart se kundërshtarët, duke goditur me kokë për ta dërguar në rrjetë, sërish pas një këndoreje. Shqipëria U-15 kryeson me avantazhin 3-0, ndërkohë që në minutat e mbetura rezultati nuk ndryshon. Kuqezinjtë marrin kështu fitoren e dytë në turneun UEFA Development U-15, që u organizua nga FSHF me pjesëmarrjen e Hungarisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.