Kombëtarja shqiptare U-17 e nisi me fitore raundin e dytë të kualifikueseve të Kampionatit Europian, duke mposhtur Azerbajxhanin në “Elbasan Arena” me rezultatin e thellë 4-1.

Protagonisti kryesor i takimit ishte Evangjelos Gjoka, i cili realizoi një tregolësh, ndërsa Gabriel Kulla vulosi suksesin e kuqezinjve me golin e tij.

Trajneri Andrea Tedesco e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar ndaj Azerbajxhanit: Raffaele Huli (GK), Darli Kurti, Eros Ndrecka, Andreas Llana, Fabian Hallidri, Fabjano Nuhaj (C), Evangjelos Gjoka, Gabriel Kulla, Alen Vukaj, Arman Durmisi, Alex Ramku. Siç shikohet ne fushe kane qene tre futbolliste shkodrane, portieri Huli si dhe sulmuesit Vukaj e Kulla.

Shqipëria e nisi ndeshjen në sulm dhe gjeti rrugën e rrjetës që në minutën e 7-të me Gjokën. Kuqezinjtë dominuan pjesën e parë, duke krijuar disa raste të mira shënimi me Kullën, Gjokën dhe Ramkun, por pa mundur të dyfishojnë avantazhin.

Në fillimin e pjesës së dytë, Azerbajxhani barazoi përkohësisht rezultatin me golin e Rzayevit. Megjithatë, Shqipëria reagoi shpejt dhe riktheu epërsinë në minutën e 53-të, sërish me Gjokën. Mesfushori vazhdoi paraqitjen e tij të shkëlqyer, duke realizuar edhe golin e tretë personal në minutën e 64-t. Në minutën e 76-të, Gabriel Kulla vulosi fitoren me golin e katërt.

Në fund ndeshja u mbyll me fitoren spektakolare të Shqipërisë 4-1. Kombëtarja U-17 do të luajë ndeshjen e dytë dhe të fundit të raundit ndaj Uellsit, më 25 mars, në orën 15:00, në “Shtëpinë e Futbollit”.