Shqipëria U19 në futboll për femra, e cila drejtohet nga Kreshnik Krepi, ka marrë fitoren e dytë në raundin e dytë të kualifikueseve të Kampionatit Europian 2024. Bëhet fjalë për Ligën B, ndërsa përballë vajzave kuqezi ka qenë Lihtenshtejni.
Në “Elbasan Arena” rezistenca e Lihteshtejnit nuk ka zgjatur më shumë se sa 32 minuta kohë në të cilën Shqipëria ka kaluar në avantazh me anë të sulmueses shkodrane Klaudia Borcit. Sapo ka nisur pjesa e dytë, Ago, pikërisht në të 49’, thellon në 2-0. Një mbrojtje e shthurrur e Lihtenshtejnit, skuadër e cila kishte pësuar dhjetë gola nga Skocia, i jep mundësi Shqipërisë të thellojë në 3-0 me anë të Borcit në të 51’.
Uria e vajzave kuqezi nuk ka të ndalur, ndërsa Ndoj gjen golin e katërt në të 56’. Methoxha krejtësisht e pa shqetësuar në zonën e rreptësisë së Lihteshtejnit thellon në 5-0 në të 68’. Ka kohë dhe për gola të tjerë, teksa Rosela Vasa, në të 82’, do të shënonte golin e gjashtë.
Dhe serinë e golave do ta mbyllte Methoxha e përfundimisht 7-0. Ndërkohë Skocia ka fituar 2-0 me Qipron.Të martën luhen ndeshjet e fundit në të njëjtën orë 15:30, Skoci – Shqipëri dhe Lihtenshtejn – Qipro për të mbyllur këto kualifikuese.