Shqipëria e vajzave U-19 fitoi me rezultatin 3-0 ndeshjen e parë ndaj Qipros, e vlefshme për raundin e dytë të Kampionatit Europian 2024.
Në takimin e luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”, vajzat kuqezi triumfuan me golat e Rexhina Maxhalakut, Era Methoxhës dhe Klesta Agos.
Ndeshja nisi mirë për Shqipërinë që në startin e takimit. Vajzat regjistruan disa raste të mira, ndërsa në të 26-ën ja dolën mbanë të gjenin rrugën e rrjetës me Klaudia Borcin, por goli u anulua për pozicion të parregullt.
Vetëm katër minuta më pas në të 30-të, vajzat kuqezi shënuan sërish. Methoxha harkoi saktë nga goditja e këndit dhe mbrojtësja Rexhina Maxhalaku e dërgoi topin në rrjetë.
Edhe fraksioni i dytë nis mirë për nën 19 vjeçaret kuqezi, të cilat kërkojnë golin e dytë. Goli i dytë vjen pak minuta me vonë, në të 53-tën. Klaudia Borci asiston për Era Methoxhën, me këtë të fundit që kontrollon topin, duke e dërguar në fundin e rrjetës qipriote, duke dyfishuar rezultatin për Shqipërinë.
Në minutën e 85-të, Klesta Ago realizon golin e qetësisë për Shqipërinë, pas asistit të Vesa Paçarizit, duke i çuar shifrat në 3-0.
3-0 është edhe rezultati final i ndeshjes së parë të Shqipërisë U-19 për vajza, që e nis mjaft mirë ndeshjet e raundit të dytë të Kampionatit Europian 2024 për këtë grupmoshe. Në ndeshjen tjetër të grupit B6, Skocia mposhti Lihtenshtejnin me rezultatin 10-0.
Shqipëria U-19 e vajzave do të luajë ndeshjen e dytë të këtij raundi më 6 prill, ndaj Lihtenshtejnit në stadiumin ‘Elbasan Arena’ në ora 15:30.