Trajneri i përfaqësueses shqiptare U19, Nevil Dede, do të ketë një element cilësor më pak për ndeshjen miqësore të së hënës ndaj Polonisë, pasi nga radhët e ekipit të tij do të mungojë sulmuesi i talentuar Armando Dobra.
Lojtari luajti një pjesë loje në Kupë këtë të martë me fanellën e Ipsuiç ndaj Gillingem dhe duhej të udhëtonte dje drejt Shqipërisë.
Por ai ka pësuar një dëmtim të lehtë dhe duke mos qenë në formën më të mirë dhe në kohë për t’u riaftësuar, është vendosur që të mos udhëtojë drejt vendit tonë për këtë takim miqësor.
Dobra është një prej talenteve më të spikatur në dispozicion të trajnerit Dede dhe ai ka luajtur 4 ndeshje me fanellën e U19 të Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, në pritje të aktivitetit zyrtar që zhvillohet muajin e ardhshëm. Për futbollistin ka shfaqur interes edhe Kosova, por ai ka zgjedhur që të veshë fanellën kuqezi në të ardhmen. /vipsport/