Nga Endri ÇINARI

Kombëtarja u-19 do nisë sot fushatën eleminatore. Kuqezinjtë e drejtuar nga Ervin Bulku do tentojnë kualifikimin në Elite Round, ku përballjet do jenë shumë të vështira. Gjithçka nis sot me ndeshjen me Irlandën, ku përveç britanikëve pjesë e grupit janë edhe Belgjika dhe Sllovenia.

Një grup i hekurt, ku gjithsesi Shqipëria do luajë shanset e veta. Duke pasur parasysh se të gjitha duelet do luhen në vendin tonë. Për tu rikthyer tek ndeshja me Irlandën, që do luhet në orën 14:00, Bulku duket se ka hartuar edhe formacionin. Kështu nga sa mëson “Shkodra Sport” me siguri të paktën dy futbollistë shkodranë do jenë në formacionin e kuqezinjëve.

Fjala është për portierin, Tomas Kiri që aktvizohet tek Kastrioti, që me siguri do jefë edhe kapiteni i ekipit. E po ashtu edhe Elton Fikaj, mbrojtësi i majtë që aktivizohet në rradhët e Panathinaikos. Nga stoli për Shqipërinë pritet ta nisin dy shkodranët e tjerë, Zaganjori dhe Haxhari.

Por një futbollist shkodran është edhe në rradhët e Irlandës. Ai është Rocco Vata, djali i legjendës, Rudi Vata. Djaloshi ka vendosur që momentalisht të përfaqësojë vendin ku ka lindur dhe sot do jetë përballë vendit të origjinës. Dhe ngjyrave me të cilat babai i tij, ish-mbrojtësi dhe kapiteni i kombëtares sonë bëri emër.