Nga Endri ÇINARI
Shqipëria U21 ka zbritur sot sërish në fushën e lojës. Kuqezinjtë e vegjël pas humbjes me Finlandën para pak ditësh, ditën e sotme janë ndeshur me Malin e Zi. Duel ky i vlefshëm për grupin E të eleminatoreve të Europianit. Ky ishte takimi i katërt për ekipin e Alban Bushit në këtë grup.
Dueli ndaj fqinjëve përfundoi me rezultatin 2-0 në favor të kuqezinjve. Ku do ishte një penallti e kthyer në gol nga Berisha në minutën e 27-të të pjesës së parë dhe një gol i Shpendit në minutën e 73-të që do vendosnin gjithçka.
Duhet theksuar se dy futbollistë shkodranë ishin pjesë e formacionit. Geralb Smajli, mbrojtësi i djathtë i Vllaznisë mbuloi këtë pozicion që nga starti i takimit. E ndërsa në krahun e majtë të sulmit u aktivizua Ardit Nikaj, sulmuesi shkodran që është pjesë e Skënderbeut.
Pas 4 raundesh në grupin E, Shqipëria U21 ndodhet në vendin e parë me 9 pikë. Duke hedhur kështu kandidaturën si një ekip që mund të kualifikohet në Europianin u-21.