Aleksis Kujas, avokati i famshëm grek dhe njëkohësisht presidenti i klubit të Superligës helene, AEL Larisa, publikoi dje një deklaratë të çuditshme në faqen zyrtare të skuadrës që drejton prej vitesh.

Gjithçka ka të bëjë me shqiptarët, të cilët sipas tij tashmë kanë marrë klubin e Panahaiqi të Patrës, aty ku dy dekada më parë luante me sukses ish-lojtari i Kombëtares, Altin Haxhi. Në deklaratën e tij bombastike, Kujas paralajmëron gazetarët (këtë term e vendos në thonjëza) se do të humbasin rrogat e tyre jetike nga bastvëniet.

REAGIMI – “Dua të shoh çfarë do të ndodhë në gusht tani që shqiptarët ikën nga Larisa dhe shkuan te Patra. Shpresoj mos të na ikin edhe ‘themelet’. Vetëm nëse kemi zëvendësime. Jo për gjë tjetër, por shqetësohem si njeri, sepse mos ndoshta disa ‘gazetarë’ humbasin rrogat e tyre jetike nga bastvëniet. Siç e keni kuptuar, plani dështoi. Të tjerat, atje ku duhet…”, shkruante dje presidenti i klubit grek, një njeri shumë i njohur në botën e futbollit dhe të jurisprudencës në shtetin fqinj.

Lidhjet e tij me shqiptarët kanë qenë të forta, por shpesh është përfshirë edhe në akuza të forta. Kujas ka sulmuar disa herë gjatë sezonit të fundit futbollistik skuadrën tjetër të qytetit të Larisës, pikërisht Apollon Larisa. Kjo e fundit u drejtua në një pjesë të mirë të sezonit 2018-2019 nga ish-lojtari i Kombëtares, Arian Bellai. Apollon Larisa e mbylli kampionatin në vendin e tretë, por pa mundur të ngjitej në Superligën greke. Ky ekip ka qenë i dyshuar disa herë për ndeshje të trukuara në Ligën e Dytë greke, ndërsa Kujas ka folur për këtë çështje disa herë.

Tashmë, ai hedh “bombën” e radhës, duke thënë se shqiptarët që kanë lidhje me Apollon Larisën, do të investojnë te Panahaiqi e Patrës, një klub tjetër i Ligës së Dytë. Kujtojmë që Kujas ka pasur me dhjetëra lojtarë shqiptarë në ekipet ku ka qenë president klubi si PAS Janina, Aris, Larisa etj. Te kjo e fundit ka luajtur ish-mesfushor legjendar, Lefter Millo

OLSI TUJANI