Xhemal Mustedanagiç është i qartë për strategjinë që do të ndjekë si drejtor i ekipeve Kombëtare në dy vitet e ardhshme. Trajneri boshnjak do të jetë në krye të ekipit U-17 edhe në eliminatoret e radhës, që do të zhvillohen në datat 23-29 tetor në Shqipëri, e më pas do të përkushtohet tërësisht në atë që ai e quan sfidë personale.
Dje nga salla e konferencave shpalli listën e lojtarëve, mes tyre edhe emra që bëjnë pjesë në akademitë e Totenhemit apo klubeve të Serisë A si Bolonja dhe Sampdoria.
“Shpresoj që pas këtij turneu të jemi të gëzuar dhe të festojmë kualifikimin. Kemi një grup të vështirë me skuadra si Çekia, Norvegjia dhe Azerbajxhani.
Uroj që këtë herë të kemi fat, pasi në eliminatoret e kaluara nuk e kemi pasur në krahun tonë. Pa diskutim që Çekia është ekipi më i fortë dhe favorit i grupit tonë.
Ne shpresojmë që të marrim minimalisht një barazim ndaj tyre dhe ndoshta me Norvegjinë, e më pas të fitojmë me Azerbajxhanin, duke u kualifikuar për më tej”, ka thënë fillimisht Mustedanagiç.
Ai ka folur nder te tjera edhe per lojtare qe kane zgjedhur kombetaret e tjera dhe jo ate te Shqiperise. “Kjo na ndodhi me Fisnik Asllanin, që e kishim grumbulluar herën e kaluar. E vendosëm në listë dhe agjenti i tij e përdori këtë fakt si marketing, e më pas e çoi te Kosova. Gjithashtu, Angjelos Muka që luan tek Olimpiakosi, e kemi ftuar disa herë, por ai ka vendosur përfundimisht të luajë për Greqinë”.