Armando Sadiku nuk ka shkelur ende në fushën e lojës pas operacionit që kreu në verë dhe që e la për 6 muaj larg fushave të lojës. Por duket se të gjithë janë të bindur se sulmuesi i përfaqësueses shqiptare do të dijë të kthehet në nivelet e tij të zakonshme dhe do të tunde rrjetën me rregullsi. Ndaj largimi i tij nga Levante në janar për të luajtur më rregullisht në një klub tjetër ndërsa riaftësohet dhe gjen formën më të mirë, duket i sigurt.
Interesimi i Luganos dihet prej kohësh, por zviceranët ku ai ka luajtur edhe më parë, nuk janë të vetmit që kërkojnë shërbimet e sulmuesit të përfaqësueses shqiptare. Sipas mediave spanjolle, largimi i Sadikut bëhet më i sigurt edhe nga fakti se ka klube të tjera që kanë kërkuar të transferojnë lojtarin në janar.
Një prej tyre është Granada, skuadra e cila aktualisht po dominon La Liga2 dhe pret që në vitin tjetër të luajë në elitën e futbollit spanjoll. Te ky klub shohin Sadikun si një lojtar i cili mund të bëjë diferencën në pjesën e dytë të sezonit ndaj është gati ta huazojë atë.
Ndërkohë, ekziston edhe një ofertë e një klubi holandez, emri i të cilit nuk është bërë ende i ditur, por që gjithashtu është i gatshëm të transferojë lojtarin në janar dhe të shfrytëzojë aftësitë e tij para portës për pjesën e mbetur të sezonit. Tashmë është në dorën e Sadikut të shohë opsionin më të mirë të mundshëm për të vazhduar këtë sezon, në të cilin do të ketë si objektiv kryesor që të lërë plotësisht pas dëmtimin dhe të gjejë formën më të mirë sportive. /vipsport/