Përgatitjet për sfidën e rradhës, atë ndaj Skënderbeut, nuk kanë shkuar ashtu si duhet tek Vllaznia. Problemet psikologjike që kanë kaluar futbollistët pas humbjes së kaluar me Kukësin, nuk kanë qenë të vetmet.
Për stafin teknik është shtuar një tjetër problem, ai i mungesës së disa titullarëve. Nga dy që ishin të sigurtë deri dje, tashmë ky numër ka shkuar në tre.
Kjo ngaqë përveç Gocajt ende të parikuperuar plotësisht nga dëmtimi dhe Orelesit të skualifikuar me kartona, është shtuar edhe mesfushori Vucaj.
Ai, siç bën të ditur vetë trajneri Gjoka, ka kaluar një gjendje gripale dhe kjo ia ka bërë të pamundur stërvitjen me grupin tre ditët e fundit megjithatë sot gjendja ka qenë disi më e mirë dhe për rrjedhojë nesër mund të jetë në stol i gatshëm për të dhënë kontributin e tij për skuadrën nëse i kërkohet.
Me këto tre mungesa nuk do të jetë e lehtë për të përballuar Skënderbeun por tek Vllaznia do të besojnë deri në fund.
© shkodrasport.com