Mesfushori i Vllaznisë Ndriçim Shtubina është i mendimit se skuadra ka gabuar jo pak në këto ndeshjet e para dhe sipas tij, në çdo ndeshje gabon nga një repart dhe duke e mbledhur përfundimin e kësaj, vjen renditja aktuale e kësaj skuadre e cila nuk është aspak e kënaqshme. Ai ka folur sot në konferencë shtypi teksa ka deklaruar: “Unë e shoh ndeshjen nga stoli dhe e ndjek ndeshjen me vëmendje. Ajo që mund të them unë është se për çdo ndeshje gabon çdo repart, një gjë që për Vllazninë nuk ka ekzistuar kurrë. Nje ndeshje gabon mbrojtja, një ndeshje gabon mesfusha, e prej shumë ndeshjesh gabon edhe sulmi. Dmth që për çdo ndeshje gabon një repart. Për mua është një gjë që rregullohet, por duhet bërë shumë shpejt kjo gjë sepse nëse kalojnë edhe disa ndeshje kështu, do jetë shumë e vështirë pastaj.
Unë kam besim se Vllaznia mund të bëjë një kthesë të shpejtë sepse mundësitë i ka. Ajo ka edhe stolin shumë të fortë, pasi jo vetëm 11 lojtarët që luajnë por është edhe stoli shumë i fuqishëm. Pavarësisht se ka lojtarë që nuk janë në formën e tyre më të mirë, por duhet të punojmë të gjithë si skuadër bashkë me trajnerin dhe stafin që Vllaznia të dalë shumë shpejt nga kjo situatë ku ndodhet sepse nuk i takon të gjendet në këto pozita ku është sot”. Shtubina ka folur i qetë. Fakti që edhe në ndeshjen e fundit, atë me Apoloninë luajti vetëm disa minuta në pjesën e dytë, tregon se kritikat më të mëdha nuk mund të shkojnë për të. Ndoshta edhe dalja e tij dje në konferencë shtypi nuk ka qenë zgjidhja e duhur nga drejtuesit e Vllaznisë megjithatë ata kështu kanë vendosur. Ajo që vlen është se lojtari ka premtuar se do të bëjë më të mirën. I pyetur në lidhje me mosaktivizimin e tij ende si titullar, Shtubina ka thënë se po punon për t’u kthyer aty ku duhet dhe kjo shpejt do ndodhë. “Unë punoj çdo ditë në stërvitje me gjithë maksimumin tim. Ato i vendos trajneri për formacionin, ashtu e ka menduar, siç fituam edhe me Gjirokastrën, ishte i njëjti formacion. Por disa lojtarë shfaqën probleme fizike. Ata i vendos trajneri, nuk më takon mua të përzihem me formacionin. Jam pjesë e Vllaznisë, vazhdoj të punoj maksimalisht dhe shpresoj të jem shpejt në formacion”- është shprehur ai.
www.shkodrasport.com