Futbolli shpeshherë ka dhuruar edhe polemika dhe ndonëse ato nuk janë një gjë e mirë, sigurisht që ndodhin sepse jo çdoherë marëdhëniet në mes lojtarëve apo në mes tyre dhe trajnerëve apo drejtuesve të klubit, janë bërë edhe objekt i debateve.

Pas shumë vitesh, mesfushori i Vllaznisë i është rikthyer një debati që pat patur me ish- trajnerin e tij tek Flamurtari para 9 sezonesh, Shkëlqim Muça.

Gjatë një interviste dhënë në emisionin “Sport Arena” në TV Rozafa, 33 vjeçari shkodran është ndalur tek e ardhmja e tij të cilën e mendon sërish në futboll, por këtë herë si trajner.

“Kam marrë liçensën e parë, atë me të cilën mund të drejtoj një ekip deri të moshës 15 vjeçare dhe në të ardhmen do të mendoj edhe për liçensat e tjera, por për momentin e shoh veten ende tek futbolli i luajtut, Megjithatë duhet të mendoj edhe për të ardhmen dhe jam i bindur se kam për t’u bërë një trajner më i mirë se disa me të cilët kam punuar më përpara gjatë karrierës time”- është shprehur Shtubina.

Duke u ngacmuar për emrin e këtyre trajnerëve, nëse është shkodran apo jo, mesfushori kuqeblu fillimisht nuk ka dashur të nxjerrë emra por pas insistimit të moderatorit është shprehur:

“Jam i bindur se kam për t’u bërë trajner më i mirë se disa prej atyre me të cilët kam punuar gjatë karrierës time. Kjo ngaqë kam punuar me trajnerë jokorrekt me sportistët, këtë e them për disa vite më përpara. Nuk desha të përmend emra por meqë po insistoni, po e nxjerr. Bëhet fjalë për Shkëlqim Muçën, i cili në rolin e specialistit tashmë e kam dëgjuar duke akuzuar edhe presidentët dhe klubet për pazare, por në fakt nuk ka qenë i drejtë në punën e tij.

Unë kam punuar nga afër me të dhe nuk më pëlqejnë intervistat e tij. Kjo sepse kur është në punë flet ndryshe dhe kur është pa punë, flet ndryshe dhe kjo nuk është korrekte. Gjatë kohës që ka drejtuar tek Flamurtari, ka patur probleme me disa lojtarë atje. Unë kurrë nuk do të bëhem trajner i tillë sepse nuk është në karakterin tim”.
© shkodrasport.com