Egnatia sfidon këtë të dielë Teutën në “Niko Dovana” në orën 16:30, aty ku kërkon patjetër tri pikët për të mbajtur të paprekur vendin e parë, pozicion që e rimori javën e kaluar. Çdo gjë duket në rregull për rrogozhinasit që të thyejnë edhe mallkimin përballë durrsakëve, pasi grupi duket i plotë dhe morali është i lartë.
Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, ish-futbollisti i Egnatias për dy sezone, Ndriçim Shtubina, pohon se durrsakët kanë një ekip agresiv dhe e sheh një sfidë të fortë. “Teuta është një skuadër që të nxjerr shumë punë. Është agresive dhe nuk të lejon të luash. Egnatia dhe Teuta gjithnjë kanë zhvilluar ndeshje të forta dhe besoj se e tillë do të jetë edhe kjo e kësaj jave”, u shpreh fillimisht 37-vjeçari rreth këtij dueli.
EGNATIA – Shtubina e sheh Egnatian një skuadër të mirë dhe me cilësi, ndonëse pa shkëlqimin e sezonit të kaluar, me lëvizjet që kanë bërë të vetën. Ai jep një mendim edhe për merkaton dhe për aq sa e ka ndjekur ekipin nga larg, mendon se i mungon një sulmues tipik. “Egnatia ka një skuadër të mirë. Edhe pse kanë bërë shumë lëvizje, sërish janë aty.
Bëhet fjalë për një klub serioz ku punohet me korrektësi. Është e vërtetë që nuk janë aq dominues sa vitin e kaluar, sepse lëvizjet e shumta që kanë bërë nuk është e lehtë t’i zëvendësosh. Nuk duhet të harrojmë se ata që janë larguar kanë qenë me mjaft kualitet. Sa i përket merkatos, nuk mund të jap një mendim të saktë për këtë, sepse drejtuesit aty e dinë më mirë. Me aq sa kam parë nga larg, mendoj se i mungon një numër “9”, u shpreh më tej Ndriçim Shtubina.
“FINAL 4” – Shkodrani nuk mund të mos e jepte edhe një mendim për Vllazninë dhe “Final 4”. Ai i sheh kuqeblutë kampionë në fund të këtij edicioni, ndërsa Elbasani dhe Teuta mund t’u prishin planet ekipeve të kreut. “E vërtetë është që për momentin janë shkëputur pak këto skuadrat e kreut, por besoj se Elbasani dhe Teuta do t’i ngacmojnë deri në fund.
Sa i përket Vllaznisë, besoj se do ta mbyllë kampionatin e para. Për mua këtë vit janë shumë të fortë me ekip të mirë. Djem që bëjnë sakrificë për ekipin. Është një skuadër e kompletuar, lojtarë me eksperiencë dhe djem të rinj shumë të mirë. Nuk i mungon asgjë për të dalë kampion”, mbylli ish-i i Egnatias dhe Vllaznisë.