Ndriçim Shtubina, futbollisti i Vllaznisë, në një intervistë për “Report TV” tregon vështirësitë e klubit ku ai bën pjesë, ndonëse drejtuesit premtojnë se Vllanzia ka një buxhet që shkon afro 1 milionë euro. Por, duhet theksuar se nën administrimin e Bashkisë së Shkodrës ka pasur vetëm probleme, e madje disa herë edhe greva të lojtarëve e pjestarëve të klubit e Akademisë për rroga të pamarra me muaj të tërë. Shtubina thotë se prej tre muajsh e gjysmë lojtarët nuk janë paguar.

Kjo jo vetëm për shkak të situatës me koronavirusin, por edhe për problemet që ky klub i amdinistruar nga bashkia ka në përgjithësi. Ndër të tjera, Shtubina deklaron se shteti duhet të ndërhyjë dhe së bashku me federatën të ndihmojnë futbollin dhe futbollistët.

Paga e luftës:

“Kjo situatë nuk ka qenë shumë e mirë jo vetëm për futbollistët, por për çdo qytetar. Përsa i përket pagave, e di që federata ka kaluar një pagë minimale. Mbi të gjitha është një ndihmë për çdo futbollist. Është respekti për futbollistët. Kjo ndihmë është nga federata. Çdo futbollist duhet vlerësuar, qoftë në Superligë, Kategori të Parë, apo Kategori të Dytë.

Por gjithsesi nuk jam shumë në dijeni të procedurave, sepse këtu duhet të ndërhyjë shteti në bashkpunim me federatën, që çdo futbollist të marrë atë që takon, e cila është ndihma që ka nevojë çdo qytetar. Gjithsesi nuk e kam kompetencën për të folur, se nuk i di procedurat, por federata është munduar për të ndihmuar futbollistët, të cilët e kanë vlerësuar”.

Shteti:

“Unë besoj se duhet ta zgjidhim këtë situatë dhe shteti ka për të ndërhyrë, sepse nga futbolli nuk vje gjë e keqe, nga futbolli vijnë vetëm të mira. Unë jam munduar të stërvitem në mënyrë individuale, por pa i prishur asnjërit punë. Pa prishur rregullat e shtetit, por gjithsesi mund të kem thyer karantinën. Kam bërë stërvitje me vëllain dhe fëmijët e mi, por nuk besoj të jetë e dëmshme.”

Rifillimi:

I pyetur nëse ka informacion se kur mund të rifillojë gara zyrtare, Shtubina ka shtuar se: “Unë besoj se është zgjatur shumë për të mos filluar stërvitjen, sepse për të rifilluar një kampionat duhen shumë ditë stërvitje. Besoj se është shumë vonë, mund të fillojë këtë javë, por nuk vendos unë. Sa më shpejt aq më mirë do të ishte për futbollin dhe futbollistët.”

Situata te Vllaznia:

“Unë besoj se do të jetë e vështirë, por në futboll nuk i dihet. Gjërat duhet t’i marrim me radhë, por e di që tifozët janë mërzitur me Vllaznisë, sepse u bënë disa vite që nuk pretendon. Vllaznia i ka të gjitha kushtet për të pretenduar, por gjithsesi çdo gjë do kohën e vet.”

Thirrja:

“Unë jam i mendimit që qeveria duhet të bashkëpunojë me federata dhe klubet. Unë flas për Vllanzinë. Unë paguaj 5 milionë taksa në vit dhe shteti mua nuk më përmend për rrogat që unë nuk kam marrë. Kjo tregon që shtetit nuk i intereson për futbollin. Për shembull në Kosovë qeveria e ka ndihmuar federatën. Gjë që mund ta bëjë edhe Shqipëria, mund të rregullojë edhe kontratat e mund të paguhen edhe taksat.”

Rrogat e pamarra:

“Unë kam qenë gjithmonë realist. Kam tri muaj e gjysmë pa u paguar nga klubi. Nuk është se klubi nuk do të paguaj, por janë disa gjëra që duhet zgjidhur më këshill bashkiak, me prefektura. Nuk e di taman, por e di që nuk jam paguar. Justifikimi dhe pretendimi është që duhet të bëhet një mbledhje në këshill. Pastaj duhet të firmosi edhe prefekti i Shkodrës dhe më pas paratë të kalojnë të klubi, i cili i shpërndan te futbollistët.

Së bashku me ne nuk ka marrë asnjë nga ekipi paga. Do të thotë edhe drejtuesit, edhe punetorët e fushës, stafi. I marrim të gjithë së bashku”, – tha në fund të intervistës së tij, Ndriçim Shtubina, një nga lojtarët e spikatur te Vllaznia, por edhje në Supeiore në këto vitet e fundit. /Vipsport/