Ndriçim Shtubina ishte një nga lëvizjet e para në merkaton e janarit për ekipin e Laçit. Futbollisti i cili luante për kampionët e Shqipërisë, nuk arriti dot të bindte drejtuesit për të qëndruar në klub. Tashmë Shtubina kërkon të rigjejë formën e tij nën urdhrat e Gentian Mezanit. Në një intervistë për “TV1 Channel”, lojtari është shprehur: “Të them të drejtën e kam pritur një kontakt me drejtuesit e Vllaznisë, gjithsesi nuk më ka kontaktuar asnjë dhe unë bëra zgjedhjen time.

Drejtuesit e Laçit më kanë kontaktuar dy-tri herë rresht dhe kur e pashë që diçka në Shkodër nuk shkon, atëherë vendosa të firmosja direkt me Laçin”.

Zërat e merkatos së janarit e dërgonin Shtubinën edhe në Shkodër, por në fund asgjë nuk rezultoi e vërtet. Gjithsesi mesfushori kthehet të komentojë Vllazninë. “Më vjen keq për situatën, sepse dita-ditës po rëndohet më shumë. Njerëzit mendojnë se do gjendet zgjidhja, por unë tani kam edhe eksperiencë në futbollin tonë dhe e shoh se situata nuk është e mirë, me gjithë dëshirën e drejtuesve.

Por ndoshta edhe nuk janë në dijeni të situatave, ndoshta edhe nuk dinë dhe e bëjnë pa dashje. Unë them se edhe disa emra lojtarësh që përmenden në gazeta e nëpër portale, të kenë kujdes sepse nuk janë për Vllazninë. Flas ngaqë unë e dua Vllazninë dhe mund ta jap edhe ndonjë këshillë, por gjithsesi ndoshta ata nuk e duan mendimin tim.

Mund të veprojnë si kanë dëshirë, por ngaqë ka specialistë në Shkodër, ka ish-futbollistë që munden të japin një mendim për blerjet. Unë mund të thosha që mos t’ia lënë çdo gjë trajnerit, sepse trajneri nuk është shkodran dhe nuk i djeg shumë për Vllazninë”, është shprehur Shtubina. /vipsport/