Duhej të luheshin nesër ndeshjet e rradhës të kampionatit kombëtar të basketbollit si për të rritur ashtu edhe për të rritura, por vendimet e Federatës Shqiptare të Basketbollit kanë qenë për t’u shtyrë për një ditë më pas. Që do të thotë se të gjitha ndeshjet do luhen të dielën. Arsyeja e kësaj shtyrje ka të bëjë me ditën e zisë që është shpallur për shkak të ndarjes nga jeta të pretendentit për fronin Mbretëror të shqiptarëve, Leka Zogu I.
Në këtë mënyrë, të gjitha ndeshjet do luhen të dielën dhe Vllaznia për meshkuj do presë këtë ditë në Shkodër ekipin e UAT-së. Ndeshja do të zhvillohet në orën 16.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për djemtë e Gjeçajt ngaqë ekipi kundërshtar është një rival i tyre për një vend në katërshe dhe prandaj kjo sfidë direkte duhet fituar me çdo kusht nga shkodranët. Sa i takon ekipit të femrave, ai do luajë në Elbasan ndaj skuadrës vendase, po të dielën në orën 13.00.