Ndeshja e play off-it në mes Shkumbinit dhe Veleçikut e planifikuar për t’u luajtur ditën e premte, është shtyrë për të shtunën.
Ky është vendimi që ka marrë FSHF, por vendi dhe ora nuk kanë ndryshuar.
Do të luhet në “Selman Stërmasi” të kryeqytetit në orën 16.30. Por nëse ka ndryshuar data e zhvillimit të kësaj “finaleje”, objektivi nuk ka ndryshuar për koplikasit.
Mesfushori Izmir Pelinku duke folur për “Shkodra Sport” në lidhje me këtë takim shprehet:
“Dëshira është e madhe për ta mbyllur me sukses këtë sezon. Kemi ba një sezon shumë të mirë dhe ndoshta e kemi merituar daljen direkt megjithatë edhe kështu si shkuan punët, do synojmë t’ia dalim.
Në rradhët e të gjithë ne futbollistëve, stafit teknik dhe drejtuesve ka besim se do ta fitojmë ndeshjen me Shkumbinin.
Nuk do ketë asnjë mungesë në formacion dhe të gjithë ata që do jenë në fushë do të japin maksimumin e tyre.
Diçka tjetër pozitive në këtë ndeshje do të jetë edhe mbështetja që do të kemi nga tifozët tanë.
Falë sigurimit të transportit nga Bashkia, duket se do të ketë një numër të madh tifozësh të Veleçikut që do të jenë të shtunën në “Selman Stërmasi”.
Kjo do të jetë një arsye më shumë për të fituar dhe për t’u ngjitur në kategorinë e parë”.
© shkodrasport.com