Federata Italiane e Futbollit ka përsëritur sot vendimin e saj se ka si qëllim që të mbyllë kampionatet profesioniste të Serisë A, B dhe C, duke shtyrë deri në limit përfundimin e tyre.

Në Këshillin Federal që u zhvillua sot në Romë, u vendos që të lihej koha maksimale për të mbyllur edicionet futbollistike në këto kampionate, edhe nëse kjo do të thotë që mes këtij aktual dhe atij pasardhës, do të ketë vetëm një ditë pushim.

Në urdhëresën e sotme, sqarohet se sezoni do të zgjatet deri më datë 31 gusht, por brenda datës 20 të atij muaji duhet mbyllur kampionati. Nëse do të kishte një bllokim të ri për shkak të COVID-19, atëherë do të organizoheshin ndeshje play-off për të caktuar kampionin dhe skuadrat që ngjiteshin apo binin.

Ndërsa nëse ishte i pamundur kthimi në fushë, atëherë do të merrej për bazë renditja në atë moment sipas pikëve për ndeshje nëse skuadrat do të kishin luajtur numër të ndryshëm takimesh.

Sezoni futbollistik i ardhshëm në Itali do të fillojë më 1 shtator, ndaj ekziston mundësia reale që të dy kampionatet të ngjishen me njëri-tjetrin dhe që lojtarët të mos bëjnë pauza të tjera duke filluar që tani, deri në verën e ardhshme kur luhet edhe Kampionati Europian. /vipsport/