Ishte planifikuar të zhvillohej ditën e djeshme mbledhja e rradhës e Këshillit Bashkiak por në fakt nuk është zhvilluar. Ende nuk dihet arsyeja pse ka ndodhur kështu por realiteti ky është. Burime pranë Bashkisë bëjnë të ditur se mbledhja mund të zhvillohet të mërkurën (nesër) por ende nuk ka një konfirmim përfundimtar në lidhje me këtë çështje.
Nga të dhënat që merren vesh, mbledhja duhet të ishte zhvilluar sot por kryetari i Këshillit Bashkiak Bardhyl Lohja, nuk do jetë në Shkodër për arsye pune dhe për këtë arsye, mendohet që ai të kthehet nesër, ditë kur do të zhvillohet edhe mbledhja e shumëpritur. Njoftimi për këtë çështje, gjithsesi do vijë pasditen e së martës.
Çështja e rrogave
Në duart e Bordit të ri janë edhe rrogat e futbollistëve. Vendimi për lëvrimin e një fondi prej 90 milionë lekësh të vjetra për klubin e futbollit Vllaznia në mbledhjen e tre javëve më parë të Këshillit Bashkiak Shkodër është bërë me kusht që ky fond të administrohet nga Bordi i ri. Kjo do të thotë se edhe tashmë që shkresa përkatëse është firmosur nga ana e Prefektit dhe ka kaluar në thesar, ky fond nuk mund të përdoret ende pa dhënë OK-in anëtarët e rinj të Bordit. Ata do ulen me administratorin që me shumë mundësi do jetë sërish Kalamishi dhe me të do bisedojnë se çfarë është më e domosdoshme për t’u paguar. Natyrisht, duhet filluar nga rrogat e ekipit dhe administratës, për të vazhduar me pagesat e tjera të shpenzimeve dytësore të ekipit si hotele, restorante, udhëtimi etj. Natyrisht që fondi i miratuar nuk është aq i madh sa për të përballuar shumë gjëra por me shumë siguri që në mbledhjet e ardhshme, do të ketë të tjera lekë që do kalohen për Vllazninë.
Mbledhja e rradhës
Ajo do të zhvillohet nesër ne oren 17.00. Kuptohet që kjo mbledhje është e rëndësishme për shumë gjëra. Së pari, për t’i dhënë njëherë e fund zhurmës së krijuar teksa çdo ditë e më shumë flitet për abuzime në një kohë që paratë asnjëherë nuk kanë qenë të mjaftueshme në klub. Duke patur një bord me anëtarë këshilli, do jenë ato që do kontrollojnë gjithçka dhe natyrisht që nuk do ketë më vend për akuza të tilla. Gjithnjë nëse Bordi do funksionojë ashtu si duhet. Skuadra në fakt nuk ka nevojë për debate të kota. Ajo nuk ka nevojë as për një numër të madh këshilltarësh në stadium për të bërtitur. Ka nevojë për pak njerëz që ta duan me shpirt Vllazninë dhe të mendojnë zgjidhjen më të mirë të mundshme për të. Nuk përjashtohet mundësia që mbledhja e nesërme të shtyhet sërish. Kjo edhe për mungesë konsensusi. Burime pranë Bashkisë bëjnë të ditur se ekziston ideja e rikthimit të numrit 5 të anëtarëve të Bordit. Kjo mund të mos pranohet nga krahu i majtë e kështu mund të ketë polemika të tjera por e rëndësishme është që miratimi i këtij bordi të mos shtyhet më.
© shkodrasport.com