“Argjentina bën për spital Maradonën”, kështu hapet gazeta e përditshme sportive “Panorama Sport”.
Messi flet pas ndeshjes dhe tregon se Zoti ishte aleati i tyre në kalimin e grupit. Sot luhen takimet e radhës në grupe dhe Joachim Low parashikon goleadë ndaj Koresë së Jugut.
Tekniku gjerman rikthen Ozil titullar. Tite, trajneri i Brazilit, flet për ndeshjen me Serbinë, ndërkohë që Behrami “tkurret” dhe deklaron se nuk festojnë më me shqiponjë.
Favoriti për të triumfuar në “Rusi 2018” tani është Spanja. E vendosin kompanitë e basteve. Nga vendi ka disa lajme merkatoje: shitja e James, prezantimi i Ardit Hilës, si dhe lëvizjet e Laçit dhe Kukësit.
Në faqe të parë është përfshirë edhe lajmi për situatën në Shkodër me Vllazninë dhe flet Voltana Ademi këtë herë.
“Frikë dhe ekstazë, tani Argjentina sfidon Francën”. Ky është titulli kryesor në gazetën e përditshme sportive “Sport Ekspres”.
Paniku me Maradonën ka marrë gjithashtu vëmendje, ashtu sikurse pragndeshja e Gjermanisë me Korenë e Jugut.
Te Brazilini nuk ka qetësi: mbledhje për Serbinë. Nga vendi veçohen dy lajme: prezantimi i Ardit Hilës dhe shitja e James Adeniyi nga Skënderbeu.
Te Tirana huazimet kthehen në një çështje, ndërkohë që Vilfor Hysa ka dhënë një intervistë ku zbulon pikat e forta e të dobëta të Valleta-s, kundërshtarit të Kukësit në Champions.
Verilindorët rrezikojnë që sezonin e ardhshëm të mos luajnë në shtëpi, ashtu si Kastrioti dhe ky është një tjetër artikull në faqen e parë të kësaj gazete. /EDS/