Tirana rrezikon shumë. “Panorama Sport” hap gazetën me lajmin që bardheblutë nuk kanë gjetur akordin me Gjergji Muzakën, të cilit duhet t’i japin 107 milionë lekët që i detyrohen.

Dënim tjetër në horizont. Artikulli tjetër kryesor është një intervistë e Sulejman Starovës. Trajneri i Feronikelit është nga ata që flet për gjithçka, hapur madje. Situata te Vllaznia, pagat dhe e ardhmja e Gilman Likës në Shkodër zë vend në faqen e parë, ashtu sikurse pozicioni i Ilir Dajës te Skënderbeu.

Kaq nga vendi, kalojmë në Greqi, prej nga vjen edhe historia e Fiorin Dyrmishajt, sulmuesit të Panionios dhe Shpresave kuqezi. Sigurisht edhe ndeshja e MMA që fitoi Florian Marku ka marrë vëmendjen e vet.

Nga bota tërbimi i Low për ndeshjen me Arabinë Saudite është artikulli kryesor. Më pas vjen një analizë, që thotë se Brazili ka pikën më të fortë… mbrojtjen.

Nuk ka pse të habitet askush, kohët kanë ndryshuar. Nga futbolli i klubeve, plani i ri i drejtuesve të Milan, që kërkojnë Maldinin dhe Marotën në klub, zë vend në faqen e e parë të kësaj gazete.

“Sport Eskpres” i ka dhënë hapësirën më të madhe portierit të Shpresave Gentian Selmani. Shënoi në miqësoren me Bjellorusinë dhe kjo nuk ndodh çdo ditë.

Intervistë me portierin, që zbulon shumë gjëra. Nga vendi veçohen lajmet nga Korça e Tirana: takimi Daja-Takaj, si dhe çështja Muzaka te bardheblutë.

Nga Vlora ka lëvizje për rinovimet dhe presin të afrojnë fantazistin Alimi. Kukësi aktiv, Qaqi mbërrin, por goditja do të jetë një sulmues.

Historia e Fiorin Durmishajt ka marrë një vend në faqen e parë edhe në këtë gazetë, kurse nga bota në faqen e parë janë përfshirë lajmë për miqësoren e Gjermanisë ndaj Arabisë Saudite, rinovimi i Harry Kane, si dhe një skandal në Afrikë. /EDS/