
Për 9 vjet si futbollist i Vllaznisë në fakt ai nuk merr asnjë trofe me të ngaqë është një periudhë jo shumë e suksesshme për skuadrën shkodrane. Kjo erdhi ngaqë sipas Shuajpit, respekti i Federatës ishte i pakët për Vllazninë si dhe nga marrja e talenteve nga ekipet e kryeqytetit. Madje në një ndeshje kundër Dinamos, kujton Keraj, arbitri nxorri me karton të kuq Xhelal Jukën. Tifozët brohorisnin “Juka, Juka” e ndeshja u ndërpre për 20 minuta. Një oficer i sigurimit i pranishëm në stadium u shpreh se shkodranët thërrasin për Jukën, ish- ministër i brendshëm i Zogut dhe nga goja e tij dilnin sharje nga më të ndryshmet për popullin e Shkodrës si reaksionar e i pandreqshëm. Madje për këtë incident, u morën edhe masa ndaj Vllaznia. Gjatë kësaj periudhë Vllaznia ka luajtur shumë pak ndeshje ndërkombëtare teksa një e tillë ka qenë ajo ndaj Spartakut të Moskës e Dozhës së Budapestit. Keraj ka qenë protagonist në këto ndeshje teksa dallohej për përgatitjen fizike ndonëse në aspektin teknik nuk ka qenë në nivelin e duhur pasi nuk kishte përdorim të mirë të topit.
Ka një fakt interesant. Në ndeshjen ndaj Spartakut të Moskës, Shuajp Keraj nuk ka qenë i planifikuar të luante në formacion ngaqë shkodranëve iu tha se do të luhej miqësisht. Por kur Lutfi Laçja tha që do të luante volejboll, atë e pezulluan dhe në vend të tij hyri Keraj. Në fakt Spartaku nuk luajti ashtu siç u tha- miqësisht, por dha më të mirën e tij në fushë dhe fitoi 9-0. Në vitin 1954 ndërkohë vjen ekipi përfaqësues i Polonisë. Ndeshja u zhvillua në stadiumin e ri të Shkodrës dhe polakët fituan 4-1 dhe golin e vetëm për Vllazninë në atë ndeshje e shënoi Hamdi Bakalli. Por ndeshja më e bukur dhe mbresëlënëse në ato vite ka qenë ajo që u zhvillua ndaj Dozhës së Budapestit në vitin 1955. Në rradhët e këtij ekipi ishin pjestarët e ekipit kombëtar të Hungarisë që mori pjesë në Botërorin e një viti më parë. Ky ekip ndeshjen e parë në Shqipëri e kishte luajtur kundër Përfaqësueses së Tiranës dhe e kishte fituar 7-2. Por kundër Vllaznisë ishte ndryshe. Për trajnerin e saj Rifat Rusi problemi kryesor ishte bllokimi i lojtarit kryesor të ekipit hungarez sulmuesit Ferenc Suza dhe trajneri Rusi, një njohës i mirë i futbollit modern, ia ngarkoi mbulimin e tij mbrojtësit Shuajt Keraj duke i dhënë detyrën ta markonte në çdo cep të fushës me ose pa top. Dhe Keraj ia arriti me sukses, madje në një moment, Suza me topin në këmbë, detyrohet ta lëshojë përpara dhe i drejtohet mbrojtësit të Vllaznisë: “Merre, ja ku e ke topin” por përgjigja e Shuajpit ishte e hollë: “S’më duhet topi, por ti”. Në fund të ndeshjes u arrit rezultati i barabartë. Natyrisht që formacioni i asaj ndeshje kujtohet nga të gjithë. Në portë ka qenë Sulejman Maliqati, beg Muhamet Dibra e Rifat Cufja, centërbeg Qemal Cungu, alf Shuajp Keraj e Hysen Vërria, në sulm alo i djathtë Hamdi Bakalli, Qamil Medja, centrofor Loro Boriçi, malo i majtë Eqerem Tallushi e Alush Bakalli.
Për Shuajp Kerajn, dy njerëz të veçantë ka njohur në karrierën e tij: Loro Boriçin i cili ishte personi që e ofroi tek Vllaznia si dhe Rifat Rusi, një trajner modern. Natyrisht tek ai kanë lënë mbresa edhe Shaban Avdija, Hamdi Bakalli, Xhelal Juka, Adem Smajli, Prek Gjeloshi, Kol Gjoni, Harap Shkreli, Muhamet Dibra, Sheuki Bosnjaku e shumë të tjerë pa përmendur kundërshtarët e tillë si Skënder Jareci, Zihni Gjinali, Vasif Biçaku, Refik Resmja etj.
Gjergj KOLA