Aristidi Kolaj ishte kthyer në ëndrrën e madhe të merkatos për klubin e Egnatias, i cili kërkonte të përfitonte nga fakti që djaloshi shqiptar nuk dëshiron të luajë me te Peskara, klub i cili ka në zotërim kartonin e tij. Por kjo ëndërr e merkatos tashëm do të mbetet vetëm e tillë, pasi ish-futbollisti i Shpresave, ka vendosur të vazhdojë karrierën e tij në Itali.

Palët kishin qenë në kontakt të vazhdueshëm në ditët e kaluara dhe parimisht kishin një akord, por që varej nga mundësia e Kolajt për të gjetur një skuadër tjetër në Itali apo jo. Ditët e fundit, atij i është bërë një ofertë nga Krotone që ka gjetur gjuhën e përbashkët edhe me Peskarën për një shkëmbim mes futbollistit shqiptar dhe mbrojtësit Karlo Kroialese.

Peskara do të përfitojë edhe një shumë parash për këtë transferim, ndërsa Kolaj do të shkojë në një ekip ku pritet t’i jepet një rol qendror në projektin që ka si synim kthimin në Serinë B dhe në lavdinë e dikurshme, kur Krotone luante edhe në elitë.

Ndaj Egnatia duhet të nisë kërkimin për një tjetër lojtar me tipare ofensive, pasi skuadra e drejtuar nga Edlir Tetova ka ende nevojë të përforcohet pas lëvizjeve të fundit gjatë merkatos së verës.