Deri mbrëmë jemi krenuar me të. Zyhdi Barbullushi ishte i vetmi pjestar i skuadrës së Vllaznisë që u pat shpallur kampione në vitet 1945- 46, që ishte gjallë. Deri mbrëmë, atëherë kur ai mbylli sytë për herë të fundit dhe për të mos i hapur më. “I fundit i mohikanënëve” të fituesve të trofeve të futbollit shkodran tashmë nuk jeton më. Ka lindur në Shkodër më 1 shtator 1926 dhe shpejt tek ai do vërehej pasionin për futbollin. Ka luajtur në sulm dhe ka qenë një lojtar me shumë të ardhme. Futbollin filloi ta luajë që në moshën 13 vjeçare me skuadrën e lagjes së tij përkrah Bahri Kavajës dhe futbollistëve të tjerë. Kulmin e karrierës së tij natyrisht që do ta kishte në vitet 1945-46 kur Vllaznia do shpallej kampione e vendit dy herë rresht dhe ai do jepte kontributin e tij ndonëse në moshë të re, madje duke u shquar edhe si golashënues. Zyhdia pas Ballkaniadës së vitit 1946, do të ishte edhe pjesë e kombëtares shqiptare dhe karriera e tij do shënonte ngritje nga viti në vit megjithatë nuk shkoi ashtu si duhet deri në fund sepse u detyrua ta ndërpriste atë në një moshë të re, vetëm 26 vjeç për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju. Por Barbullushi nuk është shquar vetëm si sportist. Ai është njohur në Shkodër e më gjerë si një kompozitor (është edhe babai i kompozitorit të njohur Jetmir Barbullushi), fizarmonicist, pedagog në shkollën e muzikës etj. Një tjetër pasion i tij ka qenë edhe sporti i bilardos ku është dalluar jo vetëm në qytetin e tij por edhe më gjerë si një nga më të mirët e këtij sporti. Ka mbajtur titullin “Mjeshtër Sporti” por ehde tituj të tjerë në fusha të ndryshme. Pas daljes në pension i është kushtuar librit dhe ka nxjerrë në treg librin e tij të parë të titulluar “Një jetë në mes të artit dhe sportit”. Ai mbrëmë është ndarë nga ne në moshën 89 vjeçare por duke lënë pas shumë kujtime, të cilat janë të shumta edhe për sportin. Zyhdi Barbullushi ka hyrë në panteonin e artë të klubit Vllaznia dhe ka shkruar emrin e tij në historinë e këtij klubi. Sot pasdite në orën 18.30 në hollin e teatrit “Migjeni” do të zhvillohen homazhe mbi trupin e tij dhe natyrisht që aty nuk mund të mungojnë edhe njerëzit e sportit, ata që e kanë duatrokitur këtë kampion duke e parë të veshur me fanellën e Vllaznisë për vite me rradhë. Pushofsh ne paqe KAMPION!
Gjergj KOLA