Sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku ka siguruar, se nuk do të ketë zgjedhje të reja për presidentin e FSHF-së, duke theksuar se Asambleja Zgjedhore e 7 shkurtit 2018 është legjitimi edhe pse nuk janë pranuar të regjistrohen nga Gjykata e Tiranës.

Shulku u ndal gjithashtu edhe tek dënimi i Skënderbeut nga UEFA me 10 vite përjashtim nga kompeticionet evropiane dhe 1 mln euro.

Çështja Skënderbeu – “Padiskutim nuk është një lajm i mirë, jo vetëm Skënderbeu që është një klub elitë, por edhe për çdo klub në Shqipëri është një lajm i keq”.

Asambleja e pavlefshme – “FSHF çon në gjykatë të gjithë dosjen për regjistrim. Kështu ka ndodhur edhe këtë herë. Gjithçka është çuar në gjykatë, dhe gjyqtarja në fjalë ka bërë kthim.

Nuk është rrëzuar kërkesa, por është një procedurë normale. Ajo ka vërejtur disa mangësi në dokumentet tona. Ne do i çojmë sërish, dhe kjo gjë do mbyllet.

Gjyqtarja ka kërkuar të ketë në dispozicion nga FSHF disa vendimeve të Asambleve të mëparshme kur kanë ndryshuar numri i anëtarëve. Ka kërkuar vendimet e klubeve se kush do të jetë përfaqësues në Asamble”.

Zgjedhje të reja – “Nuk cënon aspak legjitimitetin e Asamblesë, presidenti është zgjedhur sipas rregullave.

Gjyqtarja ka kërkuar kthimin e akteve, ka kthyer mbrapsht kërkesën që ne kemi bërë, ne do t’i plotësojmë dokumentat e kërkuara dhe do t’i dërgojmë prapë për regjistrim. Është çështje ditësh”. /EDS/