Ilir Shulku ka folur për planet e Federatës Shqiptare të Futbollit për vazhdimësinë e kampionatit. Sekretari i përgjithshëm i FSHF-së deklaroi se pas urdhrit, kur të jepet për te filluar kampionati, nuk do të ketë menjëherë ndeshje.
Në nje prononcim për Gert Çarçanin, ai u shpreh se do t’i jepet kohë skuadrave për t’u stërvitur e me pas për të zbritur zyrtarisht në fushë.
“Ne kemi menduar një plan dhe shpresojmë që mos të jemi shumë gjatë në këtë situatë. Nuk do t’i themi klubeve sot dilni në stërvitje e nesër do luani ndeshjen. Kurrsesi kjo nuk ndodh.
Ata do të kenë kohe të stërviten maksimalisht. Në dijeninë time të gjithë kanë marrë programet e duhura nga klubet e tyre. Dhe me aq kontakte sa kam dhe unë, di që po përgatiten, sigurisht me kushtet që kanë”, tha fillimisht ai.
I pyetur më pas nëse është menduar më e keqja, që situata të agravojë e të zgjasë shumë duke vendosur që titulli të jepet në tavolinë, Shulku deklaroi: “Ç’është e vërteta më të keqen s’e kemi menduar.
Shpresojmë që të nisim për një periudhë afatshkurtër ndeshjet e verdikti perfundimtar të vendoset ne fushën e blertë”, tha ndër të tjera sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit./newsport/