Sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku u shpreh për “Pressing” se ky sezon është pozitiv dhe pa akuza për trukim, teksa shtoi se gabimet e arbitrave këtë sezon kanë qenë të pakta.
“Kemi pasur kampionate si ky dhe ku ndarja nga kategoria dhe titulli kampion janë ndarë në javën e fundit. Edhe sivjet ka garë. Ngjeshja e pikëve thotë që ky kampionat ka garë. Ky fenomen vjen sepse nuk ka ekipe të shkëputura. Ekipi i vendit të fundit mund të fitojë ndaj vendit të parë.
Vendet e fundit dhe prishja e garës? Me aq sa e kam ndjekur, kërkojnë të funksionojnë dhe do të bëjnë merkato në janar. Nëse fiton 2 ndeshje dhe kundërshtari humbet dy ndeshje, atëherë je në garë.
Dosje në federatë? Nuk publikoj materiale që nuk është etike. FSHF ka bashkëpunim me institucionet dhe prokurorinë për ndeshje të dyshuara për trukim. Ka një rënie të ndjeshme dhe deri më tani, ky sezon është thuajse zero.
Nuk kemi çuar asnjë çështje në prokurori. Ka pasur bashkëpunime me UEFA-n dhe ndeshjet që dyshohen na vijnë ne dhe shkojnë në prokurori. Kemi bërë kallëzime dhe ka pasur raste kur Prokuroria ka marrë vendime.
Prokuroria heton dhe del në konkluzione. Në mekanizmin e sotëm, duhet të hetojë me detaje për ndeshje të dyshuara për trukim. Kanë ardhur në rënie.
Gjykimi? Në çdo javë ka në FSHF komisione që gjykojnë sektorët përkatës. Për çdo gabim merren masa për gjyqtarët sipas gabimit të bërë. Çdo javë kemi pasur pezullime dhe për të qenë realist jemi mirë për gjykimet.
Në javën e 14 ka pasur gabime që ndoshta kanë ndikuar në rezultat dhe komisionet kanë marrë masa. Gabime ka pasur, dhe sërish do ketë por normalisht merren masa sepse janë pjesë e garës”, tha Shulku. /VipSport/