Kur organizohet një ndeshje ku njëra skuadër është më e fortë se tjetra, dihet së nuk do jetë shumë argëtuese. Dhe zgjidhja më e mirë, në këto raste, është ajo klasike: “përzierje e skuadrave”. Kështu ndeshja bëhet më e ekuilibruar dhe nuk do të jetë vetëm një shëtitje për më të mirin dhe një dramë për të dobëtin.

Problemi qëndron nëse mund të ndodhë diçka e tillë në kampionat. Në këtë rast, miksimi i skuadrave bëhet i pamundur. Dhe nëse njëra skuadër është dukshëm shumë më e fortë se të gjithë kundërshtarët e turneut, çfarë ndodh? E thjeshtë, ekipi tërhiqet për shkak të superioritetit të dukshëm.

95 gola në tre ndeshje – E pabesueshme por e vërtetë, kjo ka ndodhur tek U-15 e femrave të Nantes, të cilat u detyruan të braktisnin kampionatin për shkak se nuk kishin konkurrencë nga skuadrat e tjera. Nga ajo që tregon një raport nga “Bein Sports”, “kanarinat” kanë shënuar 95 gola në tre ndeshje dhe kanë pësuar vetëm 1.

Në ndeshjen e parë në kampionat kanë arritur të fitojnë 24-1 ndaj Entente la Grigonnais, më pas arritën të fitojnë 31-0 me Guemene dhe më pas morën një fitore 40-0 kundër Blain.

Domethëne, vajzat e Nantes mund të luajnë edhe me 5 lojtare dhe përsëri të fitojnë Por kjo gjë e bën kampionatin…të mërzitshëm. Kështu erdhi lamtumira, tërheqja vullnetare nga turneu, por me një kërkesë: regjistrimin në kampionatin e meshkujve.

Një dominim i tillë sigurisht që nuk i bën mirë kampionatit të futbollit francez për femra: “Kjo është diçka dramatike për kundërshtarët, pasi bëhet fjalë për vajza të reja që dëshirojnë të luajnë futboll. Dhe është e lehtë për t’i kritikuar duke qenë se marrin rezultate të tilla”, kështu është shprehur një pjesëtar i klubit për “Sofoot”. Por ka një traditë rreth kësaj.

Edhe femrat U-18 nuk janë aspak keq në këtë drejtim dhe kanë patur të njëjtin “problem”. Por nuk u pranuan në një kampionat tjetër dhe për momentin luajnë vetëm ndeshje miqësore me skuadrën e meshkujve. Ku i dihet, ndoshta vajzat do të ishin të kënaqura po të luanin me ekipin e parë të meshkujve të Nantes, të cilët nuk kanë arritur të fitojnë diçka që nga viti 2001.