Pasditja e sotme duhet të ketë qenë më e vështira në jetën e tij. Ndoshta edhe se pasditja e 22 shkurtit të vitit të kaluar kur një person tentoi me thikë në dorë ta therë sapo kishte përfunduar stërvitjen me Vllazninë. E kemi fjalën për ish- trajnerin e kësaj skuadre dhe trajnerin aktual të saj, Ernest Gjokën.
Ai moment i 11 muajve më parë ka qenë një moment thjesht 2-3 sekonda dhe aq e për fat të mirë nuk i solli asnjë pasojë. Por e sotmja ka qenë “ferr” i vërtetë për këtë trajner. Tifozët shkodranë nuk ia falin dot rënien e Vllaznisë nga Superliga duke e konsideruar atë një nga fajtorët kryesorë dhe për më tepër, nuk i falin largimin dy javë para fundit dhe po ashtu edhe mungesën e kërkesës së faljes.
Për këtë arsye, sot ai është rikthyer për herë të parë në Shkodër dhe sërish tek “vendi i krimit”. Ai ka marrë shumë sharje dhe ofendime nga tifozët shkodranë të pranishëm në fushën “Reshit Rusi”. Forcat e rendit në fakt kishin marrë të gjitha masat për të mos ndodhur asnjë incident dhe me përjashtim të sharjeve dhe ofendimeve, nuk ka patur asgjë tjetër.
Vetë Gjoka në fund të takimit i pyetur në lidhje me këtë çështje, është shprehur: “Nostalgji por edhe shqetësim ka qenë për mua ky rikthim në Shkodër. Erdha për të bërë punën time si trajner, por u përballa edhe me shumë probleme personale. Gjithsesi sot pashë një reagim të njerëzve që shumë nuk janë të qartë se nuk ishte Nesti e keqja.
Nesti pati të këqijat e veta këtu, si nga ana fizike ashtu edhe nga ana profesionale. Miqtë e mi në Shkodër e kuptojnë shumë mirë këtë gjë. Pjesa tjetër nuk don të kuptojë dhe le të vazhdojnë të mendojnë ashtu. Unë mbaj përgjegjësitë e mia për aq sa më takon.
Sot tifozët kërkuan më të mirën e skuadrës së vet dhe mesa duket kanë gjetur Nestin joshkodran dhe duan t’ia lënë fajin Nestit. Unë i mirëkuptoj tifozët”. Pas deklaratave për mediat, Gjoka është shoqëruar nga uniformat blu deri në dalje të Shkodrës dhe kuptohet që nuk ka patur asnjë problem për të.
© shkodrasport.com