Një verë “e nxehtë” pritet të jetë kjo aktualja për trajnerin shkodran Kreshnik Krepi. Puna shumë e mirë që ai ka bërë në vite me ekipet ku ka drejtuar, shoqëruar së fundi edhe me shpëtimin e Tërbunit nga rënia prej kategorisë kur pak kush e mendonte, ka bërë që disa skuadra të mendojnë ta kenë në pankinë për sezonin e ri futbollistik. Pikësëpari, e duan pukjanët. Kryebashkiaku Gjonaj po insiston për ta mbajtur megjithatë trajneri shkodran ka bërë gati një projekt për sjelljen e disa lojtarëve cilësorë tek Tërbuni dhe kjo ka koston e vet.

Krepi do të presë deri në fund të qershorit dhe nëse kërkesat e tij plotësohen, do të vazhdojë punën përsëri aty. Por edhe në Kamëz e duan për postin e drejtorit teknik ndonëse ky ekip është ngjitur tashmë në Superligë. Në këto kushte dyzimet për të ardhmen e tij shtohen por jo vetëm kaq. Kastrioti i Krujës ka ndër mend të ndërtojë një ekip cilësor dhe ka në plan të emërojë një trajner shkodran në pankinë ku dilemat janë në mes Krepit dhe Nikajt. Kjo do të thotë se krutanët janë alternativa e tretë për trajneri që mbylli sezonin me Tërbunin. Ndërkohë ditën e sotme ka dalë në skenë edhe një tjetër alternativë, ajo e Tomorit të Beratit. Skuadra me shumë traditë në futbollin shqiptar mesa duket kërkon të rikthehet në Superligë dhe mund t’ia besojë stolin Krepit. Gjithsesi edhe pak ditë duhet pritur për të parë se ku do të përfundojë ai. E rëndësishme është që Tërbuni,Kamza, Kastrioti dhe Tomori, e duan ta kenë pjesë të tyren dhe për një trajner ky është një sukses. Për më tepër që Kreshnik Krepi ende nuk i ka mbushur 35 vjeç.

© shkodrasport.com