Klubi shumësportësh Vllaznia që prej një muaji është pa drejtues. Njeriu që e ka drejtuar prej vitesh atë, pikërisht Gëzim Mema, ka mbushur moshën e pensionit dhe ka bërë dorëzimet por në fakt, posti i tij ende nuk e ka gjetur zëvendësuesin. Burime pranë klubit shumësportësh Vllaznia bëjnë të ditur se në vend të ish- sekretarit Mema, këto ditë mund të emërohet një tjetër figurë e njohur e sportit shkodran dhe atij shqiptar. Bëhet fjalë për ish- volejbollistin e njohur të Vllaznisë dhe të kombëtares shqiptare Mark Krroqi. Emërimi i tij bëhet punë e kryer megjithatë pritet vetëm zyrtarizimi.
Por nuk është çudi që kjo edhe të mos ndodhë ngaqë drejtuesit e Bashkisë Shkodër prej disa kohësh janë duke menduar një mënyrë ndryshe të funksionimit të këtij klubi. Shndërrimi i ekipeve të tij në shoqata sportive, do të thoshte që të prishej funksionimi i klubit shumësportësh dhe administrata e tij do kalonte në zyrën e sportit në Bashki e cila do shtohej në organikë. Por deri më tani ende nuk dihet saktësisht se çfarë do ndodhë. Në institucionin e pushtetit lokal kanë dëshirë të ndërmarrin një reformë edhe në këtë klub por nga ana tjetër kanë frikën e mosecjes ashtu siç duhet të punëve, si ndodhi edhe me klubin e futbollit Vllaznia. Sqarimi i kësaj strategjie ka shtyrë mesa duket edhe emërimin e Mark Krroqit në postin e sekretarit të ri të klubit shumësportësh Vllaznia. Nëse kjo do bëhej realitet, do niste një cikël i ri me të në krye dhe duke lënë pas periudhën 11 vjeçare të drejtimit të këtij klubi nga sekretari i mëparshëm Gëzim Mema, periudhë gjatë së cilës nuk kanë munguar sukseset e ekipeve të këtij klubi pavarësisht vështirësive financiare.
www.shkodrasport.com
Ne foto, ish-sekretari i klubit shumesportesh Vllaznia Gezim Mema dhe kandidati per kete post Mark Krroqi