Katër milionë lekë më pak do të ketë “Sport Klub Vllaznia” për vitin 2014. 31.9 milionë lekë do të ketë shumësportëshi në Shkodër për këtë vit. Në 2013-ën shuma totale ishte 36 milionë lekë. Ky është buxheti i miratuar nga Këshilli i Bashkisë së Shkodrës. Basketbolli është sporti që ka buxhetin më të madh, për të cilin janë përcaktuar 5.1 milionë lekë. Më tej renditet volejbolli me 4.1 milionë lekë dhe në vendin e tretë është boksi me 2.9 milionë lekë. Të tria këto sporte janë në Grupin A, bashkë me atletikën që ka 2.7 milionë lekë dhe peshëngritjen që ka 2.1 milionë lekë, si dhe gjimnastika me 600 mijë lekë. Në këtë mënyrë, boksi është sporti më “i goditur”, pasi ka rreth 800 mijë lekë më pak. Në Grupin A basketbolli dhe volejbolli kanë një rritje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë, ndërsa mbetet në të njëjtat kuota atletika. Një zbritje jo të madhe ka peshëngritja, si dhe gjimnastika. Në Grupin B, ku bëjnë pjesë mundja e lirë, çiklizmi, shahu, xhudo, hendbolli, pingpongu dhe noti, është ruajtur një lloj balancimi për sa i përket buxhetit të tyre. Nga buxheti total prej 31.9 milionë lekë, 20.7 milionë në total do të shkojnë për trajnime ushqimore për sportistët, pagesa për trajnerët, honorare për gjyqtarë, ndërsa pjesa tjetër do të shkojë për pagat e administratës, shpenzime operative, investime dhe tatim-taksa. Pavarësisht buxhetit më të ulët, punonjësit apo administrata e “Sport Klub Vllaznia” nuk do të preken. Ata, që e ndjejnë drejtpërdrejti, natyrisht që janë trajnerët dhe sportistët. Nga 12 llojet e sportet që administron shumësportëshi në Shkodër, aktualisht sa u takon ekipeve për të rritur, 4 prej tyre janë kampionë në fuqi: boksi, atletika, gjimnastike dhe xhudo.
Senad Nikshiqi