Nesër mbyllet një vit. 2012-a lihet pas dhe kuptohet që në këtë periudhë, bëhen edhe analizat. E gjithçkaje që ka ndodhur në 365 ditët e tij. Kuptohet që tek futbolli nuk ke se çfarë analizon por tek klubi shumësportësh Vllaznia gjërat kanë qenë ndryshe. Sukseset nuk kanë munguar. Në disa sporte, ekipet e këtij klubi kanë qenë pararojë. Në kry si gjithnjë është boksi që këtë vit siguroi titullin e 18-të kampion në 20 kampionate të zhvilluara. Përveç titullit si ekip, edhe gjashtë tituj si individ, duke filluar nga Rexhildo Zeneli, Ronildo Piranej, Fatjon Arapi, Kristian Shytani, Kristian Demaj dhe Nelson Hysa.
Madje, Shytani është vlerësuar edhe si boksieri më i mirë i kampionatit. Për të vazhduar më pas me atletikën, mbretëreshën e sporteve. Vllaznia është kampione për të rritur por edhe me individët si Ardit Rrashi, Elvedin Meti, Izmir Smajlaj, Bledar Mesi, Elton Bitincka dhe Besmir Pepaj. Vllaznia është kampione edhe me të rinj ku spikat edhe kampioni Bajram Muça në dy gara apo dhe Gledis Halluni, Elton Tula e Samuel Velaj ndërkohë që për të reja është shpallur kampione. Në garat e notit për të rritura, Irja Lloshi është shpallur kampione në një disiplinë, në peshëngritje janë dy kampionët e padiskutueshëm Erkand Qerimaj dhe Isa Bala që kanë dominuar edhe në këtë vit, e po ashtu në gjimnastikë dhe xhudo ekipet e Vllaznisë janë kampione kombëtare. Jo keq për këtë klub. Në katër sporte janë ekipet kampione kombëtare ndërkohë që ka shumë vende të dyta dhe të treta, e po ashtu edhe shumë tituj kampionë si individ. Në këtë mënyrë, viti 2012 mund të quhet një vit i mbarë përgjithësisht për klubin shumësportësh Vllaznia, me premtimin se vitin e ardhshëm, do ketë rezultate edhe më të mira.
www.shkodrasport.com