Drejtuesit e Vllaznisë i mëshojnë faktit se kjo skuadër ka nevojë edhe për dy apo tre lojtarë, sidomos në repartin e sulmit dhe atë të mesfushës. Dhe që tani kanë nisur kërkimet e tyre. Kështu, nga sa mësohet, menaxherë të ndryshëm kanë filluar që të jenë në punë të vazhdueshme për të sjellë pranë shkodranëve lojtarë të një niveli të lartë. Mali i Zi dhe Serbia duket se janë pistat kryesore të krerëve të Vllaznisë për merkaton e janarit. Dy nga emrat që mund të vijnë për të kaluar një periudhë prove, por me gjasë të jenë pjesë e kuqebluve në këtë sezon, janë Stevan Racic dhe Gjorgje Shushnjar. I pari, i cili është sulmuesi i Fk Çelik në kampionatin malazez, mund të jetë një alternativë për sulmin shkodran. 28-vjeçari ka një shtatlartës të admirueshme 1.93 cm dhe një eksperiencë mjaft të mirë në futbollin malazez. Racic i Çelikut të Nikshiqit shihet si një lojtar i mundshëm për të qenë në përbërje të ekipit kuqeblu, gjithnjë nëse do të japë OK-in Duro.
Shushnjar – Gjorgje Shushnjar është vetëm 20 vjeç, por me paraqitjen e bërë në ekipin ku edhe militon, Sutjeskës, ka rënë në syrin e menaxherëve të ndryshëm. Një nga menaxherët shkodranë, i cili merret sidomos me lojtarët që janë nga vendi fqinj, po e shikon si të mundshme afrimin e një sulmuesi të tillë tepër cilësor pranë Vllaznisë. Shushnjar, i cili është 1.85 cm, mësohet se është një lojtar që ka një kosto të lartë. Megjithatë, kjo mund të shikohet pas bisedimeve që drejtuesit e klubit kuqeblu dhe lojtari mund të kenë.
Markoviç – Darko Markoviç, mesfushori malazez që ka ndjekur nga afër Vllazninë edhe në takimin me Apoloninë, është një tjetër alternativë që shikohet si e mundshme për t’u provuar te kjo skuadër. Disa herë drejtuesit e klubit ia kanë shtyrë ardhjen këtij lojtari pranë Vllaznisë, madje ata kanë parë edhe mundësinë e afrimit të tij që në fund të shtatorit. Por mbyllja e merkatos ka bërë që drejtuesit të lëvizin ngadalë.
Admir URUÇI
FAQJA E PARE FUTBOLL KATEGORIA SUPERIORE Shushnjar e Markoviç, Vllaznia projekton një sulm sllav në janar