Shyqyri Ballgjini është një ndër të paktët futbollistë që është nderuar me titullin më të lartë për kontributin e tij në fushën e futbollit. Ai është nderuar me titullin “Legjenda e futbollit shqiptar”, titull të cilin e kanë marrë vetëm 5-6 futbollistë gjithsej.

Ai është në listën e 100 futbollistëve më të mirë shqiptarë të të gjitha kohërave. Duke qenë një nga sulmuesit më të mirë të viteve ’70, Vllaznia e mori si përforcim për ndeshjet e Kupës së Kampioneve që ajo do të zhvillonte ndaj Austrisë së Vjenës, madje në ndeshjen e parë të fituar 2-0 në Shkodër, ai ka qenë autor i njërit prej dy golave të shkodranëve. Kjo ndeshje mbahet mend edhe sot nga Ballgjini dhe jo më kot e vlerëson si më të bukurën e karrierës së tij.

“Në vitin 1978, Vllaznia kam luajtur me Austrinë e Vjenës (ne foto). Në atë vit ne kemi dalë kampion të Ballkanit për Shpresat dhe skuadra shkodrane kishte lojtarë shumë të mirë. Më morën edhe mua për përforcim në ndeshjen që do bëhej në Vjenë.

Në Shkodër, Vllaznia fitoi 2-0 me golat që u shënuan nga unë dhe Medin Zhega. Kur mbërritëm në Vjenë, u habitëm kur morëm vesh se austriakët dinin gjithçka për ne, që nga pesha, gjatësia, parametrat më të hollësishëm dhe skuadrat nga vinim. Ishte një ndeshje që pritej me mjaft interes nga austriakët edhe për faktin se ata kishin humbur në Shkodër 2-0.

Në atë vit Austria kishte mundur RFGJ-në në kampionatin botëror dhe 7-8 lojtarë të ërfaqësues austriake ishin me skuadrën e Austrisë së Vjenës. Ne e humbëm ndeshjen 4-1, por në kohën që shënuam golin me anë të Astrit Hafizit, kishte edhe 20 minuta lojë dhe austriakët u trembën shumë duke i nxjerrë pa fund topat jashtë fushe.

Kemi humbur për faj të gjyqtarit në fakt, por edhe portieri ynë nuk u tregua në lartësinë e duhur. Në këtë skuadër ishte edhe mbrojtësi Robert Sara, i cili atë vit ishte cilësuar mbrojtësi më i mirë në botë. Në Shkodër ai ishte caktuar të më mbulonte mua, ashtu si dhe në ndeshjen e kthimit, por duke e lënë mënjanë modestinë dua të them se në të dy ndeshjet, ai humbi pothuajse në të gjitha dyluftimet me mua”- ka deklaruar Shyqyri Ballgjini.

Por kjo ndeshje ka patur edhe një të veçantë tjetër e cila sërish i ka mbetur në mendje futbollistit durrsak që e kujton sërish: “Në përfundim të ndeshjes në Vjenë që mbaroi 4-1, ai vrapoi të ndërronte fanelën me mua, por më ka mbetur peng i madh që ia refuzova një gjë të tillë.

Ai natyrisht u habit dhe nuk mund ta kuptonte se përse unë nuk doja ta këmbeja fanelën time me të tijën. Në atë kohë ne na i kishin lënë ngarkim fanelat me shumën 10 mijë lekë vetëm e vetëm që të mos i shkëmbenim me lojtarë të huaj. Edhe kur luajtëm me RFGJ në Tiranë një vit më pas, desha ta ndërroja fanelën me mbrojtësin gjerman Kalze (ne foto se bashku me Shqyqyri Ballgjinin), por nuk më lanë.

Më kanë thënë se pas disa vitesh mbrojtësi i famshëm austriak Robert Sara u mor në një intervistë nga televizioni Euroneës dhe kur e pyetën se cilët sulmues i kishin sjellë më shumë probleme në punën e tij si mbrojtës, ai përmendi emrat e Gerd Myler dhe emrin e Shyqyri Ballgjinit dhe kjo gjë në fakt shkaktoi habi tek drejtuesit e emisionit se emrin tim nuk e kishin dëgjuar ashtu si të sulmuesit gjerman.

Skuadra shkodrane e ‘78 kishte një grup lojtarësh mjaft të mirë si Jan Kaçi, Lutfi Basha, Suad Duraj, Seit Çanga, Millan Vaso, Astrit Hafizi, Sabah Bizi, Luan Vukatana dhe në sulm Medin Zhega dhe Fatmir Axhani me trajnerë Xhevdet Shaqiri dhe Ramazan Rragami”.

© shkodrasport.com