Me tre medalje të arta janë kthyer sonte në Shkodër tre boksierë të Vllaznisë që kanë përfaqësuar ekipin tonë kombëtar në turneun e rëndësishëm ndërkombëtar “Gongu I Artë” që zhvillohet çdo vit në Shkup të Maqedonisë. Kristian Shytani, Asmer Bilali dhe Bekim Vjerdha, kanë triumfuar mbi rivalët e tyre në ndeshjet e sotme finale. Ndërkohë boksieri tjetër pjesmarrës Kristian Demaj ka humbur në finale ndaj një boksieri bullgari. I pari ndër ta që është ngjitur në ring në finalet e sotme ka qenë boksieri I peshës 64 kg Kristian Shytani. Ai ka bërë një ndeshje të mirë përballë një kundërshtari vendas pra maqedonas dhe ka arritur ta dominojë ndeshjen duke u shpallur fitues I medaljes së artë në këtë peshë. Pas tij e ka patur rradhën boksieri Asmer Bilali në peshën 69 kg. Përballë tij ka qenë një boksier nga Bullgaria dhe ai e ka sfiduar atë në të gjitha drejtimet duke u shpallur fitues dhe duke zënë vendin e parë. Rradha pastaj ka qenë për Bekim Vjerdhën në peshën 75 kg. Përballë tij ka qenë një boksier maqedonas megjithatë, pavarësisht edhe disa vendimeve të gjyqtarisë për të favorizuar kundërshtarin e tij, në fund ka triumfuar boksieri shqiptar që ka merituar medaljen e artë. Në peshën 81 kg ndërkohë është zhvilluar një nga ndeshjet më të bukura të këtij aktiviteti. Kristian Demaj është ndeshur me një bullgar dhe ka patur një dyluftim të fortë dhe në fund me diferencë të vogël pikësh, fitues ka dalë bullgari. Në këtë mënyrë, paraqitja e kombëtares sonë në “Gongun e Artë” mund të quhet e suksesshme me tre medalje të arta.
www.shkodrasport.com