Dy boksierë të ekipit të Vllaznisë, pikërisht Kristian Shytani dhe Asmer Bilali që prej ditës së djeshme ndodhen në Shkup të Maqedonisë për të marrë pjesë në turneun ndërkombëtar të boksit që zhvillohet atje. “Gongu i Artë” është një turne i përvitshëm dhe tradicional dhe për rrjedhojë do të jetë një test i mirë prove për to. Bashkë me këta dy sportistë, në Maqedoni është edhe trajneri Jozef Sermi që njëkohësisht drejton edhe ekipin tonë kombëtar në këtë aktivitet sepse përveç dy boksierëve të Vllaznisë, marrin pjesë edhe dy të Tiranës, Alban Beqiri që konkurron në peshën 75 kilogramë dhe Emiliano Xhediku në peshën 91 kilogramë. Shytani ndërkohë konkurron në peshën e tij 64 kilogramë dhe Bilali në peshën 69 kilogramë.

Ndër këta katër sportistë, kuptohet që pretendimet më të mëdha për vende të para dhe për medaljet e arta, i kanë dy boksierët shkodranë. Ata kanë kohë që përgatiten sistematikisht dhe tashmë do marrin frutet e punës bërë. Nëntori në fakt është një muaj i ngjeshur për boksierët shkodranë. Menjëherë pasi të kthehen nga Maqedonia, ata do të marrin pjesën në Kupën “Adem Jashari” që zhvillohet në Prishtinë dhe Gjilan të Kosovës javën tjetër dhe më pas në një tjetër aktivitet. Këtë herë në Beograd të Serbisë. Natyrisht në të gjithë këto turne, boksierët shkodranë do kërkojnë vende të para për të treguar se në Rajon, ato janë jo vetëm të barabartë me fqinjët por edhe supriorë ndaj tyre.

Gjergj KOLA