Ish-mbrojtësi i disa ekipeve në vendin tonë dhe aktualisht trajner tek akademia Djelmnia, Arbër Shytani ka folur së fundmi për humbjen e Vllaznisë. Sipas tij shkodranëve iu mungoi ritmi dhe ishin shumë të parashikueshëm. Po ashtu Shytani thekson se ende nuk po e shohim Balajn e vërtetë sepse sulmuesi ende nuk është shërbyer siç duhet nga shokët e ekipit.

Shytani tha: “Pashë një ndeshje kundër Kastriotit ku Vllaznisë i mungoi ritmi, befasia dhe ishin shumë të parashikueshëm. Nuk mund të justifikohet një gjendje e tillë e ekipit kundër Kastriotit, me gjithë respektin për krutanët. Ekipi nuk u shfaq thuajse asnjë herë i rrezikshëm.

Qarkullonte topin, por pa tentuar që të çante me vertikalizimet drejt portës kundërshtare. Po ashtu mbrojtësit e krahëve nuk i pashë në asnjë moment të merrnin fundoren për krosime dhe që të bëheshin të rrezikshëm.

Nuk mund ta toleroj as golin e pësuar sepse erdhi si një gabim i përbashkët i Bulatoviç dhe Gurishtes. Që janë mbrojtës tipikë, ndryshe nga Kruja në krahun e djathtë që nëse do i ndodhte një episod i tillë ndoshta edhe mund të kuptohej.

Bekim Balaj? Ende nuk po e dimë nëse Balaj është apo jo në formë. Kjo pasi po luan shumë larg portës e nuk po shërbehet asnjëherë në zonë nga shokët e ekipit. Kritikonim Aralicen për rastet që humbiste, por atëherë Vllaznia prodhonte raste e lojë. Këto po i mungojnë Balajt, që për momentin nuk mund të kemi një vlerësim për të”.
Endri ÇINARI