Esat Mala mund të quhet “blerja” e Vllaznisë për Kupat e Europës. Mesfushori nga Prizreni erdhi në verë dhe u kthye në një nga futbollistët më të rëndësishëm të formacionit të kuqebluve, por një dëmtim në klavikulë, nuk e lejoi 24-vjeçarin të tregonte aftësitë e tij edhe në gjysmën e dytë të sezonit, ashtu siç bëri edhe në gjysmën e parë.
Ai u aktivizua në 24-ndeshje, nga të cilat 23 si titullar dhe arriti të shënojë tre gola, teksa ka dhënë edhe gjashtë assist, duke qenë assistuesi më i mirë i Vllaznisë. Tashmë, Mala e ka kaluar tërësisht dëmtimin e pësuar në klavikulë dhe ka nisur stërvitjen normalisht me skuadrën.
Sulmuesi anësor pritet të arrijë formën e duhur deri në ndeshjet e Europës dhe të jetë një armë plus për Migen Memellin në krahët e sulmit.
Padyshim, rikthimi nga dëmtimi i Esat Malës mund të quhet si “blerje” për Conference League dhe poashtu, ai mund të quhet “afrimi” më “big” në Shkodër, duke marrë në konsideratë faktin se 24-vjeçari është një lider i padiskutueshëm në mesfushën e Vllaznisë.
Maringlen ZHIVANI