Tottenham-i duhej të inauguronte stadiumin e ri në fillim të këtij sezoni, por gjithçka mbeti te “duhej”. Klubi londinez është detyruar të shtyjë hapjen e stadiumit nga muaji në muaj dhe tifozët kanë qenë në ajër, edhe për faktin se nuk ka pasur asnjëherë informacion transparent mbi atë që po ndodh.
Para disa javësh u tha se Tottenham do të debutonte në stadiumin e ri në nëntor, pas detyrimit për të vazhduar në Wembley edhe 2 muaj, por tashmë plani ndryshon sërish.
Presidenti i “Gjelave”, Daniel Levy, ka kërkuar falje për vonesat pa fund dhe ka lajmëruar shtyrjen e mëtejshme të planit për inaugurim, duke vendosur tashmë vitin 2019 si afat.
“Për shkak të vonesave të ndryshme dhe për shkak të forcës së paktë punëtore gjatë festave të fundvitit, kemi vendosur të konfirmojmë sot se ndeshjet shtëpiake do të vazhdojnë të luhen në Wembley Stadium të paktën deri në fundin e këtij viti.
“E dimë që këto vonesa kanë zhgënjyer shumë njerëz dhe u kërkoj falje publikisht – është një ndjenjë që e kemi të gjithë. Nuk kemi qëndruar duarkryq ndërkohë, sepse kemi punuar për sistemet e sigurisë dhe presim që të mbarojmë punimet brenda pak muajsh”.
Natyrisht, edhe kostoja e stadiumit të ri po shkon në qiell, por klubi është mjaft i shëndetshëm financiarisht./telesport/