Mundësit e Vllaznisë kanë bërë një paraqitje shumë të mirë në Kupën e Shqipërisë të shkollorëve dhe të kadetëve, kampionat ky që është zhvilluar ditën e djeshme në pallatin e sportit “Flamurtari” të Vlorës.
Në kategorinë e kadetëve, ata kanë bërë një performancë të shkëlqyer dhe për rrjedhojë dy prej tyre janë shpallur edhe kampionë në peshat respektive.
Kështu, mundësi Sidrit Bajrakurtaj ka zënë vendin e parë në peshën 69 kg e po ashtu vend të parë ka zënë edhe mundësi tjetër Florijet Guri. Pikërisht prej këtyre rezultateve, Vllaznia në renditjen ekipore ka zënë vendin e dytë.
Ndërkohë në garat e shkollorëve Jozef Fusha ka zënë vendin e dytë në peshën 32 kg. Padyshim që paraqitje të tilla janë frut i punës së bërë nga këta sportistë bashkë me trajnerin e tyre Nazmi Elezi, të cilët ndonëse stërviten në kushte të vështira, na dhurojnë përsëri rezultate të larta.
Në këto gara ashtu si zakonisht, ka marrë pjesë edhe arbitri shkodran Pal Marku, një ish- mundësi i njohur ky i Vllaznisë që tashmë po jep kontributin e tij edhe në arbitrim.
© shkodrasport.com