Të harrosh të kaluarën, do të thotë të humbasësh të ardhmen. Sado dramatike, janë copëza historie: ngjarje që kanë lënë plagë të thella gjatë komunizmit dhe jashtë të cilave nuk mund të mbetej as sporti.
Emra të mëdhenj të cilët janë ndëshkuar, penalizuar apo penguar të shkëlqenin në maksimumin e tyre. Histori të paraqitura në aktivitetin “Sigurimi dhe Sporti”.
“Kemi pasur sportistë të ekzekutuar, të burgosur, por edhe të tjerët që kanë vazhduar karrierën kanë pasur goditje të kontrolluar. Të tregojmë deri ku ka qenë i shtrirë kontrolli i regjimit komunist përmes sigurimit të shtetit”, tregon Jonila Godole, drejtuese e IDMC.
Për herë të parë janë hapur edhe dosjet e disa prej sportistëve më të spikatur, të përndjekur nga sigurimi në kohën e Komunizmit. “Janë histori njerëzish të famshëm, idhuj të sportit shqiptar. Për shembull, Qemal Vogli, është një histori e bashkëpunimit të sigurimit dhe STASI-t për ta rrëmbyer sportistin, për ta sjellë këtu”, tregon Gentiana Sula, drejtuese e AIDSSH.
Histori drithëruese, si ajo e Qemal Voglit, e treguar nga e bija, Mimoza. “Bën një ndeshje me një ndërmarrje tjetër dhe Qemali ishte në kulmin e tij, kishte bërë një paraqitje spektakolare në portë. Organet e Sigurimit të Shtetit e thirrën dhe i thanë “mos më se përsëri mund të përfundosh në burg”. Me lot në sy, më thoshte që ‘ai është pengu i jetës sime’”, tregon Mimoza Vogli, vajza e Qemal Voglit.
Çdo arsye, sado qesharake mund të tingëllojë, bënte që ëndrra të ndërpritej. “Kapiteni i Dinamos në atë kohës është arrestuar për 5 dollarë në xhep, por sot nuk është momenti i dhimbjes, por momenti i forcës”, shprehet Kreshnik Tartari, ish-volejbollist dhe ish-trajner.
Ne kete aktivitet kane marre pjese edhe disa ish- sportiste shkodrane qe kane vuajtur nga kjo gje, si Filip Guraziu, Nikolin Thana etj.
Filip Guraziu tregoi përjetimin e tij personal, si një ish-basketbollist i suksesshëm, të cilit iu mohua sporti për faktin se i ati kishte qenë i pushkatuar për arsye politike. “Komunizmi kishte një sëmundje që quhej lufta e klasave, kjo sëmundje jepte zgjeben dhe ne sportistët që u përndoqëm ishim me zgjebe, por kjo ishte vetëm në aparencë për politikën, pasi populli duhet ta themi se na ka dashtur gjithmonë, njerëzit që na rrethonin i dinin hallet tona dhe na qëndronin afër gjtihmonë” kujtoi Guraziu.
Ndërsa ish-futbollisti Nikolin Thana theksoi se në fatkeqësinë e përndjekjes së tij kishte fatin e mirë që ishte nga Shkodra. “Shkodra i ka respektuar gjithmonë sportistët dhe ish-të përndjekurit politikë dhe ndyrshe nga rrethet e tjera kishte më shumë frymëmarrje, pikërisht ky aspekt i Shkodrës na mbajti ne të përndjekurve gjallë” – vlerësoi Thana.